
Qendra e rezolutës është paralajmërimi i fortë se Shqipëria rrezikon të zhytet në një “regjim narkoautoritar”
Në forumin vjetor të Unionit Demokratik Ndërkombëtar (IDU), që u mbajt këtë javë në Washington DC, Shqipëria mori vëmendjen më të errët politike të viteve të fundit. Komiteti Ekzekutiv i IDU-së, ku bëjnë pjesë forca si Partia Republikane e SHBA dhe CDU e Gjermanisë, miratoi njëzëri një rezolutë alarmante për gjendjen në vendin tonë. Dokumenti denoncon qartë rrëshqitjen demokratike të Shqipërisë, kapjen e drejtësisë, përndjekjen selektive të opozitës dhe lidhjet e pushtetit me rrjete kriminale.
IDU flet për një degradim të sistemit zgjedhor në Shqipëri, ku blerja e votës, frikësimi i qytetarëve dhe keqpërdorimi i institucioneve publike janë bërë normë. Më shumë se 4,500 aktivitete shtetërore janë përdorur për qëllime elektorale, pa asnjë llogaridhënie. Në zonat si Elbasani, Durrësi dhe Vora, rrjete kriminale kanë ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e kandidatëve dhe në vetë rezultatin politik, duke zhbërë çdo kuptim të konkurrencës së ndershme.
Rezoluta ndalet me tone të ashpra edhe te drejtësia, për të cilën thuhet se është e paralizuar dhe e komanduar nga ekzekutivi. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese shpërfillen, prokuroria vepron me selektivitet, ndërsa mediat e pavarura dhe institucionet kontrolluese janë nën presion të vazhdueshëm. Një pjesë e veçantë i kushtohet ndjekjes penale të figurave kryesore të opozitës, të cilët, sipas IDU-së, po ndëshkohen politikisht për qëndrimet e tyre kundër qeverisë.
Qendra e rezolutës është paralajmërimi i fortë se Shqipëria rrezikon të zhytet në një “regjim narkoautoritar”, ku pushteti, krimi dhe propagandës bashkëjetojnë si një i vetëm. Shqipëria cilësohet si një bazë për trafikun rajonal të drogës dhe pastrimin e parave, çka përbën kërcënim serioz për sigurinë europiane dhe procesin e zgjerimit të BE-së.
Në fund, IDU i bën thirrje Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe Këshillit të Europës që të vendosin kushte të qarta për integrimin e Shqipërisë, të krijojnë një mekanizëm të pavarur për monitorimin e zgjedhjeve dhe të vendosin sanksione të synuara ndaj zyrtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Në të njëjtën kohë, IDU u shpreh në mbështetje të plotë për opozitarët dhe qytetarët shqiptarë që, në kushte presioni dhe frike, vijojnë të mbrojnë lirinë, pluralizmin dhe vlerat europiane. /Pamfleti


Lini një Përgjigje