TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Qershor 2025, 12:09

Rinumërimi i votave, kush rrezikon mandatet/ PD shpreson deputetin e 14 në Tiranë, te PS mund të ndryshojë renditja

Shkruar nga Pamfleti

Rinumërimi i votave, kush rrezikon mandatet/ PD shpreson deputetin e 14

Një rinumërim në Tiranë mund të hapë ‘petët e lakrorit’ dhe të nxjerrë në pah trafikun e votave mes kandidatëve të listës së hapur. Shumë nga kandidatët socialistë të listës së hapur u stepën për të çuar përpara kërkesat për një rishikim të votave preferenciale pas një kërcënimi të Kryeministri Edi Rama

Dy anëtarë të KAS vendosën që të hapen kutitë e Tiranës dhe të rinumërohen votat qoftë për subjektet ashtu edhe për kandidatët e listës së hapur. Vendimi i dy anëtarëve të KAS-it, përfaqësues të PD-së në këtë komision, vjen në një moment kur dukej se procesi zgjedhor i 11 majit po shkonte drejt një përfundimi, ku demokratët e Sali Berishës kontestonin rezultatin dhe i qëndronin versionit që nuk do e njihnin atë, ndërsa Edi Rama ka shmangur çdo koment mbi zgjedhjet që i dhanë mandatin e 4-t rradhazi qeveritar.

“Në lidhje me kërkesën për këqyrjen e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë, KAS me shumicë votash e rrëzon, por me kërkesë të dy anëtarëve të KAS do bëhet këqyrja e kutive të fletëv të votimit për qarkun Tiranë. Duke qenë ky proces merr kohë, duke qenë se janë 1282 QV, data për fillimin e rinumërimit dhe rivlersimit do të përcaktohet në një moment tjetër ku partitë politike kanë të drejtën të caktojnë vëzhgues ndërkohe që procesi do këqyret nga administrata e KQZ, kështu që kjo seancë pezullohet për momentin”, tha Ledio Braho, anëtar i KAS-it, i cili bashkë me Elvis Çefën kërkuan hapjen e kutive.

Por çfarë pritet nga rinumërimi i votave të Qarkut më të madh që prodhoi 37 mandate, ku socialistët morën 19 prej tyre, demokratët 13, Mundësia 2, ndërsa PSD, ‘Nisma Shqipëria Bëhet” dhe Lëvizja Bashkë siguruan nga 1 vend në Parlamentin e ri që nis punimet në shtator.

Demokratët e Berishës shpresojnë që nga rinumërimi të marrin mandatin e 14-të, duke ia hequr atë Partisë ‘Mundësia’ të Agron Shehajt. Megjithëse ky i fundit është shprehur i bindur se dy mandatet e siguruara në Tiranë nuk do të zhbëhen, PD në anën tjetër kërkon mandatin e 14-të që i shkon Ilir Alimehmetit, të cilin nga numërimi e humbën për rreth 1300 vota. Në këtë rast mandatin e humbet Erald Kapri nga 'Mundësia'.

PD kërkoi specifikisht edhe rivlerësimin e 16788 votave të pavlefshme, duke shpresuar kështu në një mandat shtesë.

Por një rinumërim në Tiranë mund të hapë ‘petët e lakrorit’ dhe të nxjerrë në pah trafikun e votave mes kandidatëve të listës së hapur. Shumë nga kandidatët socialistë të listës së hapur u stepën për të çuar përpara kërkesat për një rishikim të votave preferenciale pas një kërcënimi të Kryeministri Edi Rama, që prerazi i kërkoi të vetëve të mos hynin në një proces të tillë. Por me rinumërimin gjithçka në listën e hapur të socialistëve mund të përmbyset dhe mandatet mund të lëvizin nga një emër në tjetrin, veçanërisht sa i takon atyre që janë në kufirin e vijës.

Në kushte të tilla, Xhemal Qefalia mund të shpresojë t’i marrë mandatin Ornaldo Rakipit, i cili u rendit mbi Qefalinë me një diferencë prej 500 votash. Por edhe Blerina Gjylameti do të shpresojë të rikthehet në Kuvend duke nxjerrë jashtë loje Olta Xhaçkën, e cila u shpall fituese nga numërimi me rreth 140 vota më shumë se kolegia e saj socialiste.

Por rinumërimi i votave mund të krijojë probleme për komisionerët, që në rast se provohet trafiku i votave apo pazare të tjera gjatë procesit, mund të përballen me drejtësinë. Në një situatë të tillë, ata mund të kthehen në subjekte të SPAK, pasi veprimet e tyre mund të klasifikohen jo si ‘gabime njerëzore’ për shkak të lodhjes, por si krim zgjedhor.  Dhe këtu mund të shkojnë para SPAK si numërues të PD-së ashtu edhe të PS-së, të cilët me apo pa urdhër, mund të identifikohen si ‘delja e zezë’ e njollosjes së zgjedhjeve të 11 majit. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje