
Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatit të tij për Bashkinë e Lushnjës, foli edhe lidhur me shkarkimin nga puna të Drejtorit të Parkut Kombëtar të Karavastasë, Ardian Koçi për shkak se dha një intervistë për Zërin e Amerikës.
Por sipas Berishës nuk ishte kjo arsyeja e pushimit të tij nga puna, ai tha se Koçi ishte pushuar nga puna se nuk pranonte të firmoste për ndërtimet e oligarkëve në zonën e Karavasta.
“Çdo socialist i ndershëm dhe qytetar i ndershëm duhet të bashkohet me ne. Ardian Koçi, drejtori i Karavastasë, socialist i thekur, nuk ka rëndësi por punëtor i thekur më kanë thënë, që u rrinte i bënte shërbime. E pushuan sepse dha intervistë Zërit të Amerikës?! Nuk ishte halli i intervistës, por se nuk firmoste ndërtimet e oligarkëve, në Karavasta. Mbronte Karavastanë. Shtroheni ju pyetjen. Çdo socialist i ndershëm duhet të bashkohet me ne. Të dalim nga monizmi, i cili ndrydh lirinë. Ndaj dhe ne në 14 maj nuk votojmë vetëm për Eduard Sharkun, por për demokracinë. Ne nxjerrim mësime nga gabimet. Në statutin që votuam në Kuvendin e 11 dhjetorit, thamë; nuk ka bojkot zgjedhjesh kurrë. Tani duhet ta bëjmë natën ditë për t’i rikthyer Shqipërisë pluralizmin në 14 maj”, tha Berisha.
Kujtojmë se vendimi për shkarkimin e tij u anulua sot nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, dhe Koçi u rikthye në punë si dhe tërhoqi padinë që kishte bërë për shkarkimin e tij.