TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Korrik 2025, 17:44

“Është pjesë e Nismës Thurje”, Lapaj mesazh Kordhonit dhe Shabanit: Ka shumë emra të tjerë sipër, nuk shkon kurrë mandati te Zeqiri

Shkruar nga Pamfleti

“Është pjesë e Nismës Thurje”, Lapaj mesazh

Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i dalë fitues nga listat e hapura të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit, në qarkun e Tiranës, shprehet se mandati i tij nuk rrezikohet dhe është në mirëbesim të marrëveshjes që kanë bërë në koalicion.

Ky ishte reagimi i tij sot pas lajmit se një prej kandidatëve të listës së mbyllur, Zeqir Kordhoni, ka kërkuar të verifikohet firma e dorëheqjes së tij në KQZ, pasi nuk mbante mend ta kishte hedhur.

Lapaj tha se lista e mbyllur u hartua me familjarë të përfaqësuesve të koalicionit politik, me qëllim që ata të dorëhiqeshin dhe kjo rrugë politike u zgjodh për të kundërshtuar Kodin Elektoral që PS-PD miratuan për listat e mbyllura, në shenjë proteste.

Lapaj tha se Kordhoni është kandidat nga “Nisma Thurrje” e Endri Shabanit, me të cilin nuk ka asnjë krisje dhe ky formacion politik vijon të jetë i bashkuar.

Nga ana tjetër ai ka deklaruar se Kordhoni ka zero shanse të marrë mandatin, pasi ka shumë të tjerë sipër tij. Që do të thotë se nëse hapet lufta, mundtë dalin emra sipër Kordhonit të kërkojnë mandatin.

Në këtë betejë kemi hyrë për parimet dhe kemi sjellë një model tjetër. Kemi ndjekur këtë rrugë për të kundërshtuar Kodin Elektoral të famshëm nëpërmjet dorëheqjeve dhe kandiduam në listat e hapura. Zoti Kordhoni është pjesë e listave, te lista e mbyllur u futën familjarë. Do e takoj pa problem fare, sy më sy, janë familjarë tanë, në dijeninë time kanë bërë dorëheqjen. Nuk kam pasur informacion fare për Kordhonin, ai është kandidat i Nismës Thurrje. Mos e keni merak, unë jam në terren. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se më parë. Çdo qasje e pushtetit për të na penguar nuk funksionon”, tha ai.

Lapaj u shpreh se kjo rrugë kandidimi u zgjodh në mirëbesim, kurse Kordhoni ndodhet shumë poshtë listës për t’u bërë deputet. Ai u shpreh i sigurt se nuk e rrezikon mandatin dhe se këto ishin manovra të pushtetit, pasi janë trembur.

Nuk rrezikohet mandati im. Zoti Kordhoni është shumë poshtë listës, nuk ekziston ajo. Ai është pjesë e listës së Shabanit. Unë jam në mirëbesim në këtë rast, nëse dikush e trajton ndryshe do marri përgjigjen si shërbëtor i shtetit. Me zotin Shabani nuk kemi probleme. Nuk më kthejnë dot pas as me shantazhe, kërcënime e ndërhyrje. Në koalicionin tonë gjithçka shkon mirë, nuk ka krisje”, theksoi Lapaj.

Lini një Përgjigje