
Në një konferencë ndërkombëtare me peshë të madhe gjeopolitike, e zhvilluar në Romë, ku u diskutua për rimëkëmbjen e Ukrainës pas agresionit rus, kryeministri Edi Rama mori pjesë përkrah liderëve botërorë, por me një mesazh që më shumë ngjante me një deklaratë diplomatike se sa me një angazhim konkret.
Komisioni Evropian njoftoi një paketë prej 2.3 miliardë eurosh për Ukrainën, 1.8 miliardë në formë kredie dhe 580 milionë euro si grante, duke konfirmuar se Evropa është në krah të Ukrainës jo vetëm me fjalë, por me fonde. Por në këtë skenë solidariteti, Shqipëria e Edi Ramës nuk ofroi një plan specifik për ndihmë, duke qëndruar në rolin e spektatorit me retorikë të butë.
“Shqipëria është një vend i vogël me burime modeste, pa fuqi për të ndryshuar shumë në fushëbetejë”, deklaroi Rama, ndërsa theksoi se do të jetë “krah Italisë dhe miqve europianë kudo dhe kurdo që Ukraina të ketë nevojë për ne”.
“Megjithatë dua të ndaj me ju në këtë qytet që ndërkohë që mbështesim Ukrainën të luftojë dhe të rindërtohet, duhet të bëjmë maksimumin që të mos ta lëmë paqen në rreshtin e dytë të mendimeve tona. Nuk duhet ta lëmë fjalën paqe të ndajë më tej shtetet tona demokratike. Nuk duhet të lëmë askënd jashtë kufijve të Evropës demokratike të na japë leksione ne, Komunitetit Evropian, se çfarë është paqja dhe si tingëllon kjo paqe. Ne nuk jemi komunitet luftënxitës dhe Ukraina nuk është as agresori, as autori i kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Evropës. Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën, as nuk e bën Vladimir Putinin një paqedashës. Ndërkohë që bëjmë të gjitha gjërat e duhura për të mos e lënë në baltë Ukrainën, nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte nëse nuk kemi planin kurajoz për paqe”, tha Rama.
Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e hapën konferencën me thirrje të forta për veprim. Zelensky kërkoi rritje të investimeve, sidomos për mbrojtjen ajrore dhe prodhimin e dronëve, pasi Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës. “Kur Rusia rrit sulmet, ne nuk mund të kemi mungesë financimi për dronët” deklaroi ai.
Nëse shumica e liderëve perëndimorë po përpiqen të materializojnë mbështetjen ndaj Ukrainës me fonde e partneritete ekonomike, Shqipëria duket se mbetet ende në kufijtë e fjalëve të bukura dhe retorikës europiane, pa e kthyer solidaritetin në një kontribut të prekshëm.
Lini një Përgjigje