TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Mars 2026, 12:33

"Sistemi po u merr frymën qytetarëve”, Tabaku: Korrupsioni dhe monopolet mbajnë në këmbë qeverinë

Shkruar nga Pamfleti

"Sistemi po u merr frymën qytetarëve”, Tabaku: Korrupsioni

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar publikisht duke akuzuar qeverinë për ndërtimin dhe mbrojtjen e një sistemi ekonomik të padrejtë, i cili, sipas saj, rëndon mbi shumicën e qytetarëve dhe godet veçanërisht shtresën e mesme. Në një postim në rrjetet sociale, ajo thekson se vendimmarrjet ekonomike kanë favorizuar vazhdimisht një grup të kufizuar në kurriz të interesit publik.

Sipas Tabakut, qeveria ka zgjedhur të mbrojë një model që i shërben pushtetit dhe një pakice të privilegjuar, duke lënë në plan të dytë qytetarët.

“Sa herë që është dashur të zgjidhet mes qytetarëve dhe sistemit, është zgjedhur sistemi”, shprehet ajo.

Deputetja kritikon edhe politikat fiskale aktuale, të cilat, sipas saj, rëndojnë mbi punën dhe prodhimin, duke goditur drejtpërdrejt shtresën e mesme.

“Shtresa e mesme, që është shtylla kurrizore e ekonomisë, po mbitaksohet çdo ditë e më shumë”, thekson Tabaku, duke shtuar se ndërkohë një pjesë e vogël përfiton lehtësira përmes ligjeve të posaçme.

Ajo argumenton se ky model ekonomik ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve, duke ulur të ardhurat reale dhe duke rritur barrën fiskale.

“Qytetarët paguajnë më shumë taksa, por marrin më pak në këmbim”, u shpreh Tabaku, duke kritikuar gjithashtu mënyrën se si shpenzohen fondet publike.

Në reagimin e saj, Tabaku lidh situatën ekonomike me nivelin e ulët të fuqisë blerëse dhe rritjen e çmimeve, duke theksuar se korrupsioni dhe monopolet janë, sipas saj, pasoja direkte të këtij modeli.

“Ky sistem ka krijuar më shumë barrë për shumicën dhe më shumë privilegje për pakicën”, tha ajo.

Në përfundim, deputetja e PD bën thirrje për ndryshim politik, duke theksuar se vetëm një model i ri qeverisës mund të vendosë në qendër interesin e qytetarëve dhe të rikthejë balancën në ekonomi.

jorida tabaku deputetja e partisë demokratike

Lini një Përgjigje