
Përkujtimi i një beteje otomane në “Prenkë Jakova” ngre pyetjen pse institucionet turke po përdorin Shkodrën për propagandë neootomane...
Beteja e Çanakalasë ka trazuar Shkodrën, fiks 111 vjet pas epopesë së luftimeve në ngushticën e Dardaneleve, që përplasi fuqitë botërore në Bosfor.
Një organizëm zyrtar i qeverisë turke, Instituti “Yunus Emre”, pjesë e Ministrisë së Jashtme të atij vendi, i cili në Shkodër ka degën më të fuqishme në Shqipëri, zhvilloi një aktivitet kulturor, artistik dhe politik për të përkujtuar betejën e Çanakalasë në shkollën e mesme artistike “Prenkë Jakova”.
Kolektivi i shkollës dha një shfaqje teatrale dhe muzikore, ku nxënës të veshur si nizamë sollën para një audience me më shumë zyrtarë turq sesa qytetarë të Shkodrës, një pjesë që përkujtonte betejën e famshme të vitit 1915, ku palët ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore u përplasën në ngushticën e Dardaneleve.
Në atë betejë, e cila u fitua nga aleanca e Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Turqisë, spikati ylli i kolonelit Mustafa Qemal, i cili më vonë u bë themeluesi i Turqisë moderne.
Në betejën e Çanakalasë kanë rënë edhe shqiptarë, por ata ishin pjesë e të gjithë palëve ndërluftuese, sepse Shqipëria, edhe pse formalisht e pavarur në atë kohë, nuk ishte palë më vete, por vend i pushtuar dhe i copëtuar nga Fuqitë e Mëdha.
Vetëm Turqia e Erdoganit i konsideron të rënët shqiptarë si shehidë të “Baba Dovletit” dhe e përdor këtë propagandë për të promovuar neootomanizmin. Pikërisht për këtë arsye, ky aktivitet absurd ka ngjallur polemika në Shkodër, siç ishte e pritshme.
Dom Nikë Ukgjini, klerik i njohur dhe famullitar i Kuklit, e konsideron këtë aktivitet pa sens dhe të dëmshëm. Ai ka kërkuar edhe dorëheqjen e drejtuesve të arsimit në Shkodër për këtë lajthitje.
Ndërkaq, Instituti “Yunus Emre”, organizatori i eventit, e cilësoi aktivitetin të suksesshëm. Në njoftimin e tij thuhet se, në kuadër të 18 Marsit, Fitores së Çanakalasë dhe Ditës Përkujtimore të Dëshmorëve, nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, në bashkëpunim me institutin dhe shkollën “Prenkë Jakova”, u organizua koncerti “Fitorja e Çanakalasë”.
Sipas njoftimit, gjatë koncertit u interpretuan vepra që pasqyronin “shpirtin e Çanakalasë”, ndërsa nxënësit dhanë performanca instrumentale. Më pas aktiviteti vijoi në “Maarif Campus Shkodër”, ku u përkujtuan me nderim ushtarët nga Shkodra që ranë në Luftën e Çanakalasë.
Pra kemi të bëjmë me një organizim të përkryer jo vetëm nga instituti kulturor i Ministrisë së Jashtme turke, por edhe nga rrjeti arsimor “Maarif”, së bashku me një prej shkollave më të njohura të qytetit, “Prenkë Jakova”.
Por pyetja është e thjeshtë. Çfarë pune ka e ashtuquajtura “Fitore e Çanakalasë” me Shkodrën dhe pse përdoret si propagandë në qytetin më kozmopolit të shqiptarëve?
Beteja e Çanakalasë, e zhvilluar nga prilli 1915 deri në janar 1916, ishte një fushatë luftarake mes dy blloqeve të mëdha. Njëri front, që kërkonte të pushtonte ngushticën e Dardaneleve për të pasur të lirë hyrjen në Detin e Zi, përbëhej nga Anglia, kolonitë e saj, Rusia dhe Franca. Fronti tjetër, ai mbrojtës, përbëhej nga Gjermania, Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane, e cila në atë kohë ishte në rënie të dukshme.
Fushata u drejtua nga gjenerali gjerman Otto Liman von Sanders, i quajtur më pas nga turqit Liman Pasha, ose “Luani i Galipolit”. Kjo do të thotë se në krye të saj ishin gjermanët, pasuar nga austro-hungarezët, të cilët në atë kohë kishin nën administrim pjesë të mëdha të Ballkanit, përfshirë edhe Shkodrën.
Pjesa më e madhe e të rënëve nga Shkodra kanë qenë pjesë e trupave austro-hungareze. Ka pasur edhe nizamë shqiptarë në trupat osmane, por ata ishin mbetje të një strukture ushtarake që mbijetonte më shumë me fondet dhe logjistikën e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, sesa me fuqinë e vet. Nuk quhej kot Perandoria Osmane “i sëmuri i Bosforit”.
Pra, e thënë troç, pavarësisht se Mustafa Qemali e përdori më vonë fitoren e Çanakalasë si trampolinë politike për të ngritur Republikën laike të Turqisë, ajo nuk ishte një fitore thjesht otomane.
Aq më pak ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shkodrën. Sepse, nëse do të ndiqej kjo logjikë, atëherë këtë betejë do të duhej ta përkujtonin edhe Gjermania, si forca kryesore komanduese, apo Austria dhe Hungaria, të cilat kishin nën administrim Shkodrën.
Por problemi është tjetërkund. Turqia kërkon të përdorë si dëshmorët shkodranë të Çanakalasë, ashtu edhe figurën e Hasan Riza Pashës në rrethimin e Shkodrës, si pika të ruajtjes së soft power-it neootoman.
Hasan Riza Pasha ka sot në Shkodër një obelisk të madh, pranë bashkisë, ku shpesh shkojnë ushtarakë dhe oficerë të shërbimeve turke për të bërë nderime, duke ofruar një spektakël të çuditshëm në një qytet që ka mjaftueshëm histori dhe plagë të vetat.
Hasan Riza Pashës i është kënduar gjithmonë nga qytetarët pa pasur nevojë për askerë dhe çaushë modernë. Shkodra nuk ka nevojë për teatër diplomatik të importuar.
Ky qytet është një nga hapësirat më nevralgjike të Ballkanit, që ka provuar mbi kurriz një varg ushtrish dhe pushtimesh, nga Roma e lashtë deri te nazistët. Otomanët kanë lënë një nga faqet më të errëta të historisë së Shkodrës me rrethimin dhe masakrën e vitit 1478.
Pas atij rrethimi njëvjeçar, ku Shkodra u shkatërrua thuajse plotësisht dhe të mbijetuarit u shpërngulën përtej detit, qyteti dhe rrethinat e rimorën veten me vështirësi për më shumë se një shekull.
Historia më pas solli plagë të reja, pushtues të rinj, përçarje, vëllavrasje dhe përdorim politik të kujtesës. Shkodra nuk ka gjetur ende paqen as për figurat e veta, për Luigj Gurakuqin, për Migjenin, për Heronjtë e Vigut, e për shumë plagë të tjera të saj.
Pak i ka hallet e veta Shkodra, që tani duhet të merret edhe me lavditë e “Të Sëmurit të Bosforit”, i cili kërkon sërish nizamë për të mbjellë ndarje e ndikim politik.
Çanakalanë le ta përkujtojnë atje, në buzë të Dardaneleve. Nga Shkodra është më shumë se një mijë kilometra larg./Pamfleti
Zgjohu o Shkodër! Zgjohu e heqi foletë turkoserbomalazeze. Zgjohu qe te dukesh siç ke qenë dikur e denjë e krenare!
Nuk besoj se eshte ndonje herezi perkujtimi i Çanakalasë ne Shkoder. Turqit erdhen ne Shqiperi si pushtues ne trojet tona, por ne ate kohe ishim te pushtuar dhe asimiluar mbi 95% nga sllavet (serbet dhe bullgaret). Ndodhi ajo qe thuhet se jo c'do gje e keqe vjen per keq, pasi pastaj u evidentuam si komb me veçori nga kombet e tjera perrreth dhe turku i dobesoi sllavet edhe per interesa te veta dhe me vone na njohu si etni me gjuhe dhe zakone te tjera. Sigurisht Turku mund te bente me shume per ne duke hapur shkolla dhe te shkruhej gjuha shqipe, pamvaresine duhej ta shpallnim me pare qe te ruanim trojet etj. Kjo eshte historia dhe duhet te lexojne dhe studiojne te gjithe.
Nuk ka qene asnjehere lufta e Shqipetarevet, pra ska si te behet tani. Ngutja jone per tu mburrur me beteja qe nuk kane aspak lidhje me Kombin tone, qe nuk influencuan ne konsolidimin e ndergjegjes tone kombetare... jane skifo dhe hosana njerzish pa identitet dhe pa atdhe. Hajde te mburremi edhe me Vaterlone, se gjasme edhe Napoleoni qenka nga anet tona... por ama nderimin per ata luftetare qe mbrojten Shkodren, per ato komandante shqipetare qe rane dhe u plagosen ne Shkoder, nuk ka asnje monument dhe asnje perkujtim. Jane vrare me qindra nga Kavaja-Shijaku- Tirana-Durresi, dhe jane harruar, por ama per malazezet dhe serbet e vrare ka nje monument, mbrenda kufirit tone, ne token tone. Valle kaq keq jemi katandisur ne vetetdijen kombetare. Kush duhet te meret me keto, kush duhet te punoje per te vleresuar gjakun dhe luften tone per komb e atdhe.??????
Çfar lidhje ka me shqiperine kjo lufte, nderkohe qe ishin dy aleanca ne lufte kunder njera tjetres, ruso,angli,greqi me gjermani,austro hungariaro e turqi. Ne memorial e varrezave te çanakalase shkruhet, prizreni,shkupi, kumanova,kaçaniku etj. Nuk shkruhet asnje shqiptar me emer mbiemet. Nuk eshte ndonje gje e madhe pse perkujtohet,por me pare duhet te dihet realiteti dhe qellimi I kesaj lufte. Pastaj dashuria serbi turqi ka qene gjithmone ne nivele te larta por nganjehere edhe me ilje e ngritje, ndonjehere edhe jane grindur, i ngjan me shume si ato krimet e pasionit.Ne shqiptaret çkusur kemi nga influencat e tyre.