Ja parashikimet në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Partitë Politike...
Në kulmin e fushatës zgjedhore, Sali Berishës i ka plasur një skandal tepër i rëndë. PD ka firmosur kontratë 6 mln dollarë me një kompani amerikane lobimi (Continental Strategy LLC), qëllimi kryesor i së cilës është që Berishës t’i hiqet “non grata”.
Nuk dihet se si i ka bërë kalkulimet opozita, por dalja e kontratës tani, duket se i ka prishur punë. Edhe nëse “non grata” hiqet para 11 majit, sërish nuk do të ketë atë efektin që do të kishte nëse nuk do ishin hedhur miliona. Kjo pasi praktikisht nëse DASH e zhbën atë vendim, i bie që heqja e “non gratës” është blerë.
Por ka shumë diskutime dhe pikëpyetje se sa e ligjshme është kjo kontratë. Deri më sot kemi parë shumë kontrata lobimi nga partitë politike. Madje sot Ilir Meta është në qeli për një rast të ngjashëm.
Gjithë problemi është te burimi i financimit. Nuk ka asgjë të keqe të lobosh në SHBA, por kemi të bëjmë me një shumë të madhe parash dhe nuk e dimë nga kanë dalë, të paktën 750 mijë dollarët e dhënë në dorë.
PD pretendon se nuk ka nxjerrë asnjë kacidhe dhe financimi është bërë nga patriotët në SHBA. Pikërisht kjo pjesë krijon telashe. Pasi Kodi Zgjedhor dhe Ligji për Partitë Politike, kanë përcaktime specifike. Së pari e ka në dorë KQZ, e cila duhet të përcaktojë nëse ky lobim futet te shpenzimet e fushtës apo jo, pasi nëse futet aty, PD brenda 60 ditëve nga publikimi i rezultatit duhet të bëjë deklarimin e financave.
Ndërkohë të dy ligjet, si Kodi Zgjedhor dhe ai për Partitë Politike, e kanë specifike se dhurimet, qoftë nga persona fizikë, qoftë nga ata juridikë, nuk duhet të kalojnë shumën e 1 milionë lekëve. Pra të 10 milionëve lekëve të vjetra. Pra si do justifikohen kaq shumë para? Nuk na i merr mendja se Berisha do çojë një listë me mijëra emra që kanë dhënë kush 100 dollarë dhe kush 200, që të pagueht marrëveshja. Plus duhet të deklarohen edhe milionat që ka marrë Chris LaCivita.
Edhe vetë Ilirian Celibashi sot tha se testi do të jetë pas 60 ditësh dhe aty PD do të duhet të bëjë transparencë. Deri atëherë as KQZ dhe as SPAK nuk bëjnë dot gjë, pasi ka shumë tymnajë dhe mister. Por e sigurt është se kjo kontratë më shumë do hapë telashe sesa do ta ndihmojë Berishën.
Parashikimet ligjore
Kodi Zgjedhor
Neni 92/1- Financimi i subjekteve zgjedhore nga fondet jopublike
1. Subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre mund të marrin fonde për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Për qëllim të këtij ligji, konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor, përfshirë kandidatët e tij, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlera në sende ose shërbime. Vlera e shumës sipas fjalisë së parë të kësaj pike, indeksohet nga KQZ- ja çdo pesë vjet sipas normës së inflacionit.
Neni 92/2- Regjistrimi i fondeve jopublike
1. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit, huadhënësit ose kredidhënësit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 92/1 të këtij ligji dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi.
2. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në llogari të posaçme të hapura në banka nga subjekti zgjedhor. Llogaritë deklarohen në momentin e regjistrimit sipas nenit 64 të këtij ligji. Në formularin e deklarimit përfshihet edhe autorizimi për KQZ-në dhe të ngarkuarit e saj për të marrë drejtpërdrejt nga banka të dhëna për të gjitha transaksionet e llogarisë. Subjekti zgjedhor nuk mund të përdorë asnjë llogari tjetër bankare, përveç atyre të deklaruara, për pranimin e dhurimeve për fushatën zgjedhore, qoftë edhe për shuma më të vogla se 50 mijë lekë.
3. Kandidatët e subjekteve zgjedhore, nëse planifikojnë të pranojnë dhurime për fushatën e tyre me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë, janë të detyruar të hapin llogari bankare të posaçme për të pranuar dhurimin e fondeve jopublike. Llogaritë deklarohen në momentin e regjistrimit sipas nenit 67 të këtij ligji. Në formularin e deklarimit përfshihet edhe autorizimi për KQZ-në dhe të ngarkuarit e saj për të marrë drejtpërdrejt nga banka të dhëna për të gjitha transaksionet e llogarisë. Kandidati i subjektit zgjedhor nuk mund të përdorë asnjë llogari tjetër bankare, përveç atyre të deklaruara, për pranimin e dhurimeve për fushatën zgjedhore, qoftë edhe për shuma më të vogla se 50 mijë lekë.
4. Shuma e shpenzimeve të bëra nga një subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët e tij, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 3 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 88 të këtij ligji. Çdo shpenzim i fushatës zgjedhore dokumentohet dhe zbatohet në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi. Në zbatim të këtij ligji “shpenzim fushate” është çdo shpenzim që bën një parti ose kandidatët e saj për qëllime të fushatës zgjedhore, pavarësisht datës se kur është bërë.
5. Detyrimet e parashikuara në këtë nen vlejnë edhe për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, të regjistruar sipas neneve 69 dhe 70 të këtij ligji. Shpenzimi total që mund të kryejë kandidati i propozuar nga zgjedhësit nuk duhet të kalojë 50 për qind të shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas nenit 88 të këtij ligji.
Ligji për Partitë Politike
Neni 21
1. Ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga qeveri dhe nga ente publike ose private të huaja, si dhe nga ente vendase publike ose me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror.
2. Lejohen dhuratat dhe ndihmat që vijnë nga parti ose bashkime ndërkombëtare partish, nga organizata e fondacione politike, vendase e të huaja, si dhe nga individë, persona fizikë e juridikë privatë vendas.
Neni 23/1
1. Çdo parti politike duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shumën e fondeve të përfituara nga çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çdo rast, dhuruesi, në kohën e dhurimit, nënshkruan detyrimisht një deklaratë dhurimi, sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Lista e personave, që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkat ëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.
2. Dhurimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë, duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë nga partia politike. Personi përgjegjës për financat në partinë politike, brenda tre muajve nga krijimi i partisë politike, deklaron pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
3. Ndalohet përfitimi i fondeve jopublike, kryer nga subjekte që nuk deklarojnë identitetin e tyre apo identiteti i të cilave është i papërcaktuar qartë nga partia politike përfituese e fondit jopublik.
4. Çdo shpenzim i kryer nga partia politike kryhet dhe dokumentohet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi.
Neni 24/3- Dokumentimi i shpenzimeve
1. Partitë politike janë të detyruara të dokumentojnë në mënyrë të saktë dhe të plotë, sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, të gjithë shpenzimet e kryera dhe mënyrën e përdorimit të fondeve gjatë fushatës zgjedhore. Të gjithë personat përgjegjës për financat në një parti politike trajnohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për mbajtjen, administrimin, raportimin dhe ruajtjen e dokumentacionit dhe të dhënave sipas këtij neni.
2. Partia politike dorëzon në Komisionin Qendror të Zgjedhjevekopje të plotë të dokumentacionit për çdo pagesë të kryer gjatë periudhës së fushatës zgjedhore. Brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, çdo parti politike që është regjistruar në zgjedhje, duhet të bëjë publik dhe të dorëzojë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një raport për deklarimin financiar të fushatës, duke përfshirë të gjitha degët dhe pjesët e veta përbërëse. Raporti përmban në mënyrë të saktë:
a) të ardhurat e përfituara apo që ka në gjendje partia politike, duke përfshirë burimin dhe datën e përfitimit, për periudhën nga caktimi i datës së zgjedhjeve, deri në ditën e zgjedhjeve;
b) të gjitha shpenzimet e kryera për periudhën nga caktimi i datës së zgjedhjeve, deri në ditën e zgjedhjeve, duke detajuar çdo shpenzim që i është bërë fondit financiar të dhënë për shpenzimet e fushatës zgjedhore;
c) bilancin e pasurive dhe detyrimeve që ka partia politike, për periudhën nga data e caktimit të ditës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve.
3. Çdo parti politike pjesëmarrëse në zgjedhje i mban dhe ruan në arkivat e tyre, për një periudhë 7 (shtatë) vjeçare, dokumentacionin e plotë dhe të detajuar të gjendjes financiare të saj dhe të gjitha degëve për periudhën e mbuluar nga raporti, duke përfshirë:
a) librat e mbajtjes së llogarive, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ku evidentohen të gjitha të ardhurat sipas burimit, shumës, duke e identifikuar mënyrën se si është kryer pagesa, si dhe të gjitha pagesat e kryera ndaj personave të tretë, qëllimi i pagesës dhe mënyra se si është kryer pagesa;
b) dokumentacion të saktë për të gjitha shpenzimet e kryera;
c) gjendjen dhe lëvizjet në llogaritë bankare të saj;
ç) dokumentacionin e plotë të pasurive të paluajtshme në pronësi ose posedim të partisë politike, si dhe çdo kontratë të lidhur për huapërdorje, qira, porosi, apo shitje, të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme;
4. Në rast se shuma e përfituar nga partia politike, sipas Kodit Zgjedhor, është më e madhe se shuma e dokumentuar si e shpenzuar për financimin e fushatës zgjedhore, partia është e detyruar të kthejë diferencën e përfituar në KQZ.
5. Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse, sipas pikës 4, të këtij neni, brenda 90 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. /Pamfleti
Lini një Përgjigje