Politike29 Nëntor 2023, 09:35

Urimi i Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Uotergejti Nr. 2 që do na rrëzojë Bablokun

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Urimi i Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Uotergejti Nr. 2 që
Edi Rama /

 Kjo melodia diplomatike e Antony Blinken: Gëzuar Pavarësinë, dhe punoni për drejtësinë”, si ju tingëllon zotërinj hajdutë?!

Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, ju bashkua gëzimit tonë në 111 vjetorin e themelimit të shtetit, me një melodi të bukur diplomatike, “Gëzuar Pavarësinë, dhe punoni për drejtësinë”, që më shumë ngjan me një urim lindjeje, “Qofsh me jetë, e u rritsh i mirë”!

Këngëve dhe valleve tona, valsit sensual, ku partnerët Non grata me Liken dhe Babloku me Lali Erin, afrohen gati në përqafim, ju shtua një kërcimtar që nuk i shijon lëvizjet e këmbëve tre herë në njërën anë e tre në tjetrën, as futjen në xhep, herë të dorës së djathtë e herë të së majtës shqiptarëve, por na fton në ca lëvizje akrobatike e të guximshme, ndoshta në hip- hopin e rrugës, ku të gjithë “çmenden”.

Po pse i fusim sot në vals e jo në valle popullore kriminelët që qeverisin prej 33 vitesh?

Valsi, është pjesa muzikore që luhet me kohën tre të katërtat dhe këta artistët tanë, janë fiks këtu.

Prej keq qeverisjes, ka ikur një e katërta e popullsisë, një e katërta janë të moshuar dhe me probleme shëndetësore që jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë dhe tjetra një e katërta, pret të largohet, e si refren, të së tërës, i është grabitur nga mafia 3 e katërtat e pasurive, nën valëzimet e dridhjeve ritmike të këmbëve të bandave sunduese. 

 Tingujt nuk janë për sytë, por për shpirtin. 

Po të jetë për pamjen, në sytë e botës jemi mirë, i kemi të gjithë zyrtarët milionerë, të gjithë skllevërit të kënaqur me kërbaçin dhe kulaçin, “filtrojmë” ujin e zi që na vjen në çezma, u thurim këngë hajdutëve dhe lexojmë vetëm njërën anë të medaljes, na uroi Sekretari i Shtetit, “Gëzuar Pavarësinë”!

Në fakt edhe me Pavarësinë nuk jemi aq mirë, as politikisht, as ekonomikisht, as mendërisht, se këtej, kush nuk e përkul kurrizin para shefit, futet tek valsi, tek tre të katërtat që shtypen me këmbë.

Letërsisë sonë, sot i mungojnë ca stoli.

Para një viti për shembull, Babloku kishte edhe kapele me siglën FBI.

Kapelja nuk është më, se ja kanë bllokuar amerikanët, por as pikën mbi i, nuk ka kush e vë, se të gjithë janë një substance; hajdutë, e duhet të shkojnë tek transparenca e pasurive, aty ku i uroi Sekretari i Shtetit Blinken, tek rruga e mirë, drejtësia.

Urimi i Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Uotergejti Nr. 2 që

As atmosfera nuk është dhe aq festive, as siguria e pleshtave që kërcejnë në këtë festival me veshje firmato, nuk është kjo që shohim.

Shesheve anash shpellës rrotullohen shkëmbinj që do të bien nga malet, sapo të mbarojë festa.

Në këtë vals kemi edhe Bablokun me ish shefin e FBI Charles McGonigal që po luajnë valsin historik në 50 vjetorin e skandalit të Uotergejtit.

Që të mos çajmë dru kot, pasi shumica juaj nuk ka as sobë, asokohe hetimet e gazetës “Washington Post”, përmes një burimi të rezervuar nga zyrtari i FBI-së Mark Fellt, zbuluan gjurmë shkeljesh ligjore të demokratëve deri në Shtëpinë e Bardhë që shpejt çuan në shkarkimin e Presidenti Richard Nixon.

Sot, nuk ka të dhëna të rezervuara, por një shef i FBI-së në burg, Uotergejtin Nr. 2 të zbardhur dhe një kryeministër që mbulon fytyrën me duar para amerikanëve dhe shqiptarëve.

Mbulesa mbi hu ndryshon nga ajo mbi tru zotërinj Mafiozë!

Nga dritarja e urimit amerikan, një pyetje mos na e merrni për keq aman.

Kjo melodia diplomatike e Antony Blinken: Gëzuar Pavarësinë, dhe punoni për drejtësinë”, si ju tingëllon zotërinj hajdutë?!

Nëse nuk zemëroheni, ju ndihmojmë si gjithmonë, në deshifrimin e urimit në datëlindjen e 111-të Shtetit. Me hieroglifet tona, mund të shqipërojmë se, brenda mesazhit të Antony Blinken fshihet Uotergejti Nr. 2./Pamfleti

urimi i sekretarit amerikan të shtetit uotergejti babloku