TAGS-AT E JAVËS

Kosova20 Qershor 2023, 15:30

“3 policët po i mbajmë me kek dhe cola”, Vuçiç vendos kushte për dialogun: Nuk flas me Kurtin pa liruar serbët e arrestuar!

Shkruar nga Pamfleti

“3 policët po i mbajmë me kek dhe cola”,

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në një takim me kryeministrin hungarez Viktor Orban, ka deklaruar përsëri se nuk takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin pa liruar serbët e arrestuar, të cilët akuzohen për sulmet në veri.

Më tej ai ka hedhur poshtë akuzat e Prishtinës për keqtrajtim të policëve të arrestuar. Vuçiçit tha se ata po trajtohen mirë dhe po ushqehen me kek, rrush dhe cola. Mediat serbe raportojnë me tej se Vuçiç deklaroi se kur të ulet në tavolinë me Kurtin do të diskutohet fillimisht asocacioni.

"Pse gënjejnë, askush nuk i ka prekur policët e Kosovës, po hanë kek, rrush dhe pinë cola. Ata hanë dhe pinë mirë dhe nuk u mungon asgjë. Viktori më tha se mezi presin të marrin masa ndaj vendit tonë dhe është e qartë se ne nuk kemi asnjë faj. Unë nuk do të shkoj të flas me Kurtin derisa të lirohet çdo serb i arrestuar", u shpreh Vuçiç.

Kujtojmë se situata në komunat në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar prej datës 26 maj, ku serbët prej ditësh vazhdojnë të kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të hyjnë në ndërtesat komunale. Tensionet u përshkallëzuan në datën 29 maj, kur trupat e KFOR u përplasën fizikisht me protestuesit serbë.

Situata u agravua edhe më tej më 14 qershor pas arrestimit të tre policëve të Kosovës në veri të vendit nga Serbia. Efektivët kanë dalë para gjykatës serbe dhe janë lënë në paraburgim për 30 ditë. 

vuçiç kurti dialogu

Lini një Përgjigje