
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka deklaruar se Serbia duhet ta pranojë se Kosova është e pavarur.
Milanoviç ka thënë se ishte i vetmi, pas pushtimit rus të Ukrainës, që i ftoi shtetet tjera evropiane ta njohin Kosovën.
“Serbia duhet ta kuptojë dhe pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk është pranuar as nga disa anëtarë të Bashkimit Evropian. Por, është si të flasësh me një mur. Disa vende nuk e kanë njohur, sepse i frikësohen precedentëve që përfundimisht, në ndonjë moment krize, në një rënie imuniteti, mund të zbatohen në vendet tyre dhe t’u merret diçka”, tha Milanoviç, raporton “Index.hr”.
Më tej, Milanoviç është shprehur se duhet të ndalohet thirrja “Kosova është Serbi”.
“Nuk është vëlla, është punë e mbyllur”, thekson ai.
Ndërkohë Milanoviç shtoi se vendimin për këtë e merr ai, si president i Kroacisë.
“Vetëm apo në marrëveshje me ministrin, por së pari vetë. Nuk do të sjelli atë vendim pa u konsultuar me atë njeriun që nuk do të flasë me mua, pasi e kam lënduar, sepse egoja e tij është me e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Të gjithë kemi ego”, tha ai.
Milanoviç është shprehur gjithashtu se në Kosovë nuk ka “dërguar njerëz për t’i vënë në rrezik apo për t’iu kthyer të gjymtuar”.