Kosova30 Maj 2023, 21:10

Pse i intereson Rusisë një luftë Kosovë-Serbi në zemër të Evropës?

Shkruar nga Pamfleti

Pse i intereson Rusisë një luftë Kosovë-Serbi në

Në Ballkan si Lindja ashtu edhe Perëndimi, secili për arsyet dhe interesat e veta, po kërkojnë të ruajnë tensionin në mënyrë që të provokojnë luftë nëse është e nevojshme...

Nga Moska vijnë rregullisht deklarata nxitëse që nuk janë aspak në interes të paqes dhe stabilitetit, kthimit të besimit dhe mirëkuptimit mes popujve dhe shteteve, sepse Rusisë do t'i shkonte më shumë përshtat nëse situata në Kosovë do të përshkallëzohej.

Ishte ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov i cili duke komentuar trazirat në veri të Kosovës tha se situata është alarmante dhe se mund të ndodhë një shpërthim i madh në qendër të Evropës.

Por për ish-ambasadorin serb në Bjellorusi Srecko Dukic, lufta nuk është përgjigja. Sipas tij, serbët kanë nevojë për një Evropë paqeje dhe bashkëpunimi, nga Atlantiku në Urale, atë që çdo qytetar e ka ëndërruar prej dekadash.

Edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Qytetarët e Lirë, Natan Albahari, tregon se për Rusinë do të ishte më e volitshme nëse situata në Kosovë do të përshkallëzohej, sepse kjo do të nënkuptonte se ka një konflikt tjetër në Evropë.

Sipas tij ky do të ishte një devijim i vëmendjes nga pushtimi i tyre i pasuksesshëm në Ukrainë dhe problemet e brendshme, konfliktet midis ushtrisë dhe formacioneve paraushtarake.

Nuk besoj se do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, por duhet të kujtojmë se si arritëm në këtë situatë - së pari braktisja e institucioneve në veri të Kosovës dhe krijimi i një vakumi ligjor dhe të sigurisë; pasuar nga bojkoti i zgjedhjeve në veri dhe dorëzimi i komunave te shqiptarët dhe në fund tërheqja e një numri të madh të serbëve në një tubim në mbështetje të presidentit Vuçiç”, tha Natan Albahari.

Lideri i Lëvizjes Popullore për Liri, Miroslav Paroviç, beson se Kosova është një nga pikat nevralgjike të Evropës, gjë që më së miri e dëshmon fakti se forcat paqeruajtëse ndërkombëtare duhet të jenë të pranishme për të ruajtur paqen.

Ngjashëm është edhe me Bosnjën dhe Hercegovinën. Në Ballkan, si Lindja ashtu edhe Perëndimi, secili për arsyet dhe interesat e veta, po kërkojnë të ruajnë tensionin në mënyrë që të provokojnë luftë nëse është e nevojshme.

Për Serbinë, në këtë kohë të riorganizimit global, e vetmja rrugëdalje është të kërkojë neutralitetin ushtarak të njohur ndërkombëtarisht dhe autonominë strategjike për veten, por edhe për mjedisin. Gjithçka tjetër na vendos në vijën e parë të përballjes, e cila është rrezik për mbijetesën si të kombit ashtu edhe të shtetit”, tha Miroslav Paroviç./ Përshtati “Pamfleti” nga “Danas”

rusia konflikti kosovë-serbi