
Dhuna barbare ndaj KFOR-it italian ishte një kartë politike e qartë se si e do Vuçiç Veriun e Kosovës...
Një nga shtetet që ka marrëdhënie më të mira me Serbinë në trupën e anëtarëve të NATO-s dhe Bashkimit Europian, është Italia.
Një pozicion historik filoserb i Romës ka vijuar me të gjithë qeveritë e saj, duke nisur nga e majta, dhe është forcuar edhe sot që në qeveri është një grup i djathtë klasik me Giorgia Melonin. Partia e së cilës, ose më mirë të thuhet rrënja historike e saj, ka pasur në qendër të politikës Shqipërinë e bashkuar, ku e gjithë Kosova dhe pjesa shqiptare e Maqedonisë ishin në një shtet të përbashkët. E kjo përsëritet vazhdimisht nga politika e Beogradit.
Por Meloni, e cila ka për ministër Mbrojtjeje një tregtar të madh të armëve, Guido Grosseto-n, ka gjetur te Serbia një partner të rëndësishëm ekonomik, me të cilin ka marrëdhënie të ngushta. Duke ruajtur si kohën e artë të Lamberto Dinit me Serbia Telecom, ashtu dhe marrëdhënien me Berlusconin.
Kur italianët hynë si pjesë e KFOR-it në 1999, jo vetëm që mbuluan zonat që serbët i kishin kërkuar, pra pjesën e manastireve të Pejës, por edhe shërbimet sekrete të Italisë punuan ngushtë me spiunazhin serb, duke marrë e shfrytëzuar të gjithë superstrukturën njerëzore dhe logjistike të shërbimeve sekrete serbe, duke qenë më të afërt me serbët. Por këtë radhë forcat italiane të KFOR, të cilat dhe e drejtojnë këtë kontigjent ndërkombëtar u përballën me një dhunë të egër të serbëve, që janë as më pak e as më shumë por kontigjent i tyre. Që janë paguar ndër vite edhe nga shërbimet sekrete italiane. Ajo që ndodhi në Zveçan është një turp për ushtrinë italiane në radhë të parë, por që ka një faturë politike të kripur.
Që do të thotë se serbët nuk duan aleatë afatgjatë, por thjeshtë partnerë afatshkurtër për synimet e tyre. Kjo duket qartë nga ajo që ndodhi në Zveçan. Serbët nuk duan një Asociacion, por autonomi, e cila siç e bënë të ditur dje, e duan të “pastër” edhe nga policia e institucionet e Kosovës, por edhe nga NATO.
Me një fjalë, serbët, natyrisht jo populli, por pjesa aktive politike, ose paramilitare e lëvizjes kërkon një “spastrim entik të shekullit 21”. E pikërisht këtu është problemi që nuk e thotë asnjë. Jemi përballë një skandali të përmasave holokaustike, ku kërkohet që një zonë, një qytet apo komunitet, të jetë ekskluzivitet i një etnie, apo më mirë i një partie, një grupimi. E thënë sot kjo është një tmerr.
Si ka mundësi që banditët e Listës Serbe e duan zonën e tyre vetëm me horra të emëruar nga BIA e që të mos ketë shqiptarë? Po si mund të flitet për një relacion multietnik, në një zonë ku sot, në sytë e KFOR kërkojnë vetëm flamur serb, anëtarë e votues të listës Serbe, e deputetë të tyre? Ky është në fakt ajo që Vuçiç përkon për model Asociacioni. Ai kërkon një veri të spastruar jo vetëm etnikisht por edhe politikisht e ideologjikisht. Dhuna barbare ndaj KFOR-it Italian ishte një kartë politike e qartë se si e do Vuçiç Veriun e Kosovës. E ç’lidhje ka kjo me paqen? /Pamfleti