
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri teksa është shprehur se dhuna “e çfarëdo forme është e papranueshme”.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Lajçak i ka dhënë ultimatum kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç që të ulen menjëherë në dialog.
“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është për viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t'i kthehen dialogut menjëherë”, shkruan Lajçak.
Ndërkohë, më herët ka reaguar edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Borrell shkruan se BE dënon ashpër sulmin e tmerrshëm, ndërsa kërkon që autorët të vihen para drejtësisë. Më tej, shefi i diplomacisë së BE shkruan se më shumë jetë njerëzish janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës.
"Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë.
Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë.
EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës.", shkruan Borrell.