Kisha ortodokse serbe, Dioqeza e Rashkës–Prizrenit e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku ka mbetur i vrarë një efektiv si dhe u plagosen 2 të tjerë.
Kisha ka theksuar se kjo ngjarje mund të ketë “pasoja të mëdha” pandaj është e rëndësishme të ruhet paqja.
Dioqeza ka thënë se është e shqetësuar për shkak se “një grup personash të armatosur, të maskuar, kanë hyrë në Manastirin (Banjska) me automjet të blinduar, duke thyer portën e mbyllur të Manastirit”.
"Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) dënon ashpër sulmin që ndodhi mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës në afërsi të fshatit Banjskë, ku raportohet se mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë u plagosën. Ky është një incident i rëndë me implikime potencialisht të gjera. Prandaj, është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin. Dioqeza i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së oficerit të ndjerë dhe sinqerisht shpreson në shërimin e shpejtë të të lënduarve. Dioqeza është thellësisht e shqetësuar pasi, sipas raporteve të fundit, një grup i armatosur me maska depërtoi portat e manastirit duke përdorur një automjet të blinduar.
Aktualisht, një grup adhuruesish nga Novi Sadi, duke përfshirë priftin, Abati Danilo dhe vëllezërit e manastirit, janë brenda. Për sigurinë e tyre, komuniteti i manastirit dhe besimtarët janë mbyllur brenda banesës dhe kisha e manastirit është gjithashtu e siguruar. Individë të armatosur dhe të maskuar raportohet se po lëvizin nëpër ambiente dhe herë pas here dëgjohen të shtëna me armë zjarri. Dioqeza denoncon me ashpërsi dhunën flagrante që po zbatohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe dhe u kërkon të gjitha palëve që menjëherë të ndërpresin armiqësitë", thuhet në njoftim.
Kujtojmë se në fillim të korrikut, deputetja britanike Alicia Kearns deklaroi se në veri të Kosovës “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”.
“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”, ka thënë Kearns.
Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, u shpreh në atë periudhë se nuk është gjetur asnjë provë për pretendimet e deputetes britanike, ndërkohë autoritetet e Kosovës i patën nisur hetimet.