
Pas vizitës në fillim të shkurtit, Kurti ka pasur një bisedë sot me Erdoganin, ku në fokus ishte dialogu Kosovë-Serbi. Duket se presidenti turk kërkon të mbahet i informuar...
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka ndërhyrë sërish në dialogun Kosovë-Serbi. Teksa palët nuk gjetën dakordësinë në Bruksel në fillim të javës dhe po përgatiten për një takim më 18 mars, Erdogan ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Njoftimi është dhënë nga qeveria e Kosovës dhe si duket Albin Kurit mban të informuar presidentin turk mbi të gjitha zhvillimet.
“U bisedua edhe për takimin e fundit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çfarë Presidenti Erdogan përshëndeti rezultatin e arritur, duke shprehur mbështetjen e tij kryeministrit Kurti dhe gatishmërinë për të ndihmuar”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Por biseda mes tyre vjen vetëm 1 muaj, pas vizitës së Albin Kurtit në Turqi. Para se të nisnin negociatat me Serbinë, Kurti fluturoi drejt Stambollit dhe u takua më 3 shkurt me Erdoganin. Në atë vizitë në fokus ishte po dialogu Kosovë-Serbi.
“Turqia është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të japë kontributin e nevojshëm nëse kërkohet nga palët. Ne shpresojmë që procesi i dialogut me Serbinë të rezultojë në një mënyrë që siguron paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm të rajonit. Do të marrim hapa për të fortifikuar marrëdhëniet tona me vëllezërit kosovarë”, deklaroi Erdogan në atë kohë. Si duket presidenti turk po ndërhyn në negociatat mes Kurtit dhe Vuçiçit.
Sa i takon bisedës telefonike sot, qeveria e Kosovës njoftoi se më tej bëhet me dije se, kryeministri Kurti i shprehu edhe njëherë ngushëllime Presidentit Erdogan, e përmes tij, familjarëve të viktimave të tërmetit dhe mbarë popullit të Turqisë.
Gjithashtu ai falënderoi Presidentin Erdogan për mikpritjen zemërgjerë në Stamboll me datën 3 shkurt, ku patën një takim tejet produktiv që do të shërbejë për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe miqësisë së përhershme në mes të dy vendeve tona.
Kurti tha që Kosova është vend jo i madh por me zemër të madhe, që ka dëshmuar bujari ndaj të gjithëve në ditët e tyre të vështira.
“Së fundi edhe ndaj ukrainasve e afganëve. Kosova është dhe gjithmonë do të vazhdojë të qëndrojë pranë shteteve mike në ditët e tyre të vështira, posaçërisht Turqisë”, ka thënë ai. /Pamfleti
Lini një Përgjigje