
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka dënuar sulmet e huliganëve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në veri dhe ka kërkuar shtensionim të menjëhershëm të gjendjes.
Në një reagim në Twitter gjatë orëve të para të së mërkurës, Blinkeni ka bërë thirrje që Kosova e Serbia t’i përkushtohen dialogut.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm sulmet e djeshme ndaj paqeruajtësve të KFOR-it, dhe u kërkon palëve të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar gjendjen dhe t’i ripërkushtohen bisedimeve të udhëhequra nga BE-ja për normalizim”, ka shkruar ai në Twitter.
Ai ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës që më forcë të hyjë në ndërtesat komunale ka përshkallëzuar tensionet në mënyrë të panevojshme.
SHBA ka parqitur edhe dy kërkesa ndaj Qeverisë e Kurtit, për të siguruar që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia.
Numri dy i SHBA-së ka bërë thirrje gjithashtu që Qeveria e Serbisë dhe Presidenti serb Aleksandër Vucic të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.
Një ditë më parë, SHBA-ja njoftoi se ka vendosur ta sanksionojë Kosovën për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë. Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 2023”, ka bërë të ditur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Ndërsa reagimin e parë të Blinkenit, pas nisjes së tensionimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar “të padrejtë, të gabuar, lëndues dhe naiv”.
Komunat veriore të Kosovës u tensionuan pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit të gjithë shqiptarë u kundërshtuan nga serbët lokalë.
Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe dhe u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.
Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.
Nga sulmet serbe në veri të Kosovës janë plagosur mbi 30 ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.
Lini një Përgjigje