Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij se bisedimet me partitë politike për ngritjen e institucioneve të reja do të nisin menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas Kurtit, procesi duhet të ndjekë një rend të qartë, duke nisur fillimisht me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, e më pas me zgjedhjen e presidentit.
“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimi për formimin e institucioneve të reja. Konstituimin e legjislaturës të 11-të të kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit”, tha Kurti.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë në detyrë, ai u ndal edhe te zgjedhjet e 7 qershorit, për të cilat tha se nuk kanë qenë të nevojshme, ndërsa shtoi se rezultati i tyre duhet të respektohet dhe të reflektohet në krijimin e institucioneve funksionale.
“I uroj qytetarët për procesin e lirë, demokratik zgjedhor. Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë të cilën e kemi thënë e ripërsëritur para se ato të ndodhnin. Sido që të jetë qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e përkthehet në institucione funksionale demokratike të angazhuara e përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, industri e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore”, tha Kurti.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje u rendit sërish forca e parë politike në vend, duke siguruar 47.13 për qind të votave.
Lini një Përgjigje