
Ministrja e drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu ka folur lidhur me sulmin në veri të Kosovës. Ajo ka komentuar deklaratën e Ramës i cili u shpreh se KFOR-i duhet të marrë në dorë situatën në veri.
Në një intervistë për “Euronews Albania” ajo tha se nuk mund të binte dakord me këtë deklaratë të kryeministrit pasi policia e Kosovës ka dëshmuar se ka kapacitet të plotë operacional dhe bashkëpunon më së miri me KFOR-in dhe EULEX-in. Gjithashtu ajo shtoi se qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë është i njëjtë edhe me kërkesën e presidentit Serb.
“Si ka mundësi që kryeministri Rama të mbajë një qëndrim që është kërkesë edhe e presidentit serb Vuçiç. Ne besoj e kemi dëshmuar, policia e republikës së Kosovës e ka dëshmuar kapacitetin e saj të plotë operacional dhe bashkëpunimin me forcat e tjera si KFOR dhe EULEX me të njëjtin qëllim për të mbrojtur republikën e Kosovës.
Sigurisht që republika e Kosovës sidomos pas sulmit terrorist mbi vendin tonë të dielën, ka nevojë për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për ruajtjen dhe mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. Kjo sepse terreni malor e bën më sfiduese situatën veçanërisht në pjesën malore, pra në kufirin me Serbinë. Ndaj kemi nevojë për një bashkëpunim më të madh edhe me KFOR-in edhe me EULEX-in, për të mbrojtur territorin e Kosovës”, tha Albulena Haxhiu.