Kosova29 Shtator 2023, 20:01

Pas Kurtit edhe Osmani i jep “goditje” Ramës: Veriun e kontrollon policia e Kosovës, KFOR na mbështet në çdo hap

Shkruar nga Pamfleti

Pas Kurtit edhe Osmani i jep “goditje” Ramës: Veriun e

Sa herë kryeministri Edi Rama mundohet të ndërhyjë në çështjet e Kosovës, aq më keq bëhen raportet mes dy vendeve. Edhe pse kritikoi qëndrimin e BE lidhur me agresionin në Veri, Rama doli me një propozim që ka shkaktuar debat. Ai kërkoi që KFOR të marrë kontrollin e Veriut. Kjo solli reagime kundër dhe Rama sot i sulmoi kritikët.

Por këtë pasdite ka ardhur një reagim i fortë nga Presidenca e drejtuar nga Vjosa Osmani. Në reagim thuhet se Vjosa Osmani e ka thënë në çdo takim që ka pasur me aleatët e Kosovës, se mandati i KFOR-it është vetëm si reagues i tretë në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë.

Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia. Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia”, thuhet në reagim.

Një ditë më parë ishte kryeministrit Kurti, por edhe ministrat Zveçla dhe Gërvalla që dolën kundër propozimit të Ramës. Ata ishin në një linjë kur thanë se policia është ajo që e ka nën kontroll Veriun, teksa KFOR dhe EULEX janë aty për mbështetje.