
Rezultatet e politikës konfliktuale në veriun e Kosovës do ta tejkalojnë fatin e Albin Kurtit
Krisja e Kosovës me SHBA tashmë ka ndodhur dhe ajo që duhet pritur janë pasojat, të cilat nisën që me anulimin e Stërvitjes së NATO-s ‘Defender 2023’. Vendimi u mor nga Komandanti i NATO-s në Europë, pikërisht nga ai post që në vitin 1999, urdhëroi ushtarët e tij që të bombardonin serbinë. Në atë kohë kryekomandant ishte gjenerali Wesley Clark.
Mirëpo problemi më i madh që po shoqëron orët e minutat pas kësaj krisjeje dramatike, është edhe më i rëndë dhe nuk paralajmëron asgjë pozitive.
Përkundrazi, po sjell një reagim gjithnjë e më unik të Perëndimit ndaj qeverisë së Kosovës. E në këtë atmosferë, gabimi dhe dëmi më i madh është turri i ushtrisë së militantëve të Facebook-ut, duke hedhur vrerë, baltë e ekstaza të palogjikshme sharjesh ndaj SHBA dhe aleatëve perëndimorë të Kosovës.
Që të jemi të qartë, nga kjo krisje SHBA nuk humb asgjë, përveçse do të instalojë ngricën me Prishtinën.
Nga ana tjetër, Kosova mbetet edhe më e izoluar, thjesht e vetëm për teka apo taktika krejt të përkohshme, të cilat edhe sot po rezultojnë të padobishme.
SHBA duket që është zemëruar me Albin Kurtin se ky i fundit nuk i ka lajmëruar aleatët për nismën e tij për të dërguar në zyrat e komunave, katër kryetarët e zgjedhur të veriut. As SHBA diplomatikisht, e as KFOR operacionalisht nuk ishin të përgatitur. E si rezultat ndodhi një situatë që çoi në plagosjen e një numri të madh ushtarësh të KFOR në Zveçan.
Një aleat është i tillë, pasi ka koordinim qëndrimesh e vizionesh. Shmangia me qëllim nga qeveria e Kosovës ka sjellë pikërisht këtë situatë. E cila po agravohet, sepse Albin Kurti po vijon të sulmojë SHBA-në dhe Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, të cilin e ka quajtur publikisht në CNN: naiv!
Albin Kurti, qeveria e tij apo shumë të tjerë në Kosovë mund të kenë papajtueshmëri me SHBA-në dhe zyrtarët e lartë të saj, por këto papajtueshmëri duhet t’i thotë në tavolinë e jo në publik. Megjithatë, ka dy versione në vërejtjen e kësaj situate: ose Albin Kurti është kamikaz, ose ai po vepron pasi ka marrë nën tryezë një dritë të gjelbër për të simuluar një lloj acarimi me SHBA e për të ndalur vrullin serb në veri.
Ta zëmë se është kjo e dyta, pra që dikush në Uashington, ndoshta edhe më i madh se Blinken, edhe pse praktikisht “është shumë e bukur për të qenë e vërtetë”.
Nëse do të ishte kjo, atëherë ose kryetarët e komunave do të ishin sot në zyrë, ose qeveria e Kosovës duhet të kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme e të merrte drejtimin teknik të komunave, deri në një fazë tjetër.
Fakt është se sot në Zveçan është demonstruar me një flamur gjigand serb, duke bërë të ditur se veriu i Kosovës është Serbi. E kjo e ka çuar situatën atje shumë prapa, tashmë jemi përpara 10 vitesh, ku në 4 komunat e veriut kanë rënë të gjitha institucionet e Kosovës. Kur vetëm pak kohë më parë, jo vetëm funksiononin doganat, tatimet, gjyqësori e akuza, por çdo biznes paguante taksën në buxhetin e Kosovës.
Nëse Albin Kurti është i vendosur në planin e tij për të ndaluar Listën Serbe apo “milicinë fashiste” të veprojë në veri, ai duhet të ndërhyjë menjëherë me një operacion blitz. E në fund, nëse SHBA do të përplaset ashpër me të e ndoshta do ta shtyjë të largohet nga qeveria, në fund, rezultati i arritur në veri do ta tejkalojë fatin e Albin Kurtit.
Sikur ajo që thonë mbështetësit e këtij të fundit se sovraniteti i Kosovës është i vendosur përfundimisht në veri, por kjo do të arrihet atëherë Albin Kurti të ketë përmbushur një nga qëllimet më të mëdha, që edhe nëse largohet, situata do të ishte pa kthim, e do të realizohej një nga objektivat e mëdha të Kosovës.
Mirëpo fatkeqësisht nuk është arritur asnjë objektiv, pasi në veri të Kosovës, sot shteti nuk ka asnjë fuqi politike. Stacionet e Policisë të të katër komunave janë të zbrazura nga ikja masive e policëve me kombësi serbe, doganat, tatimet, administrata po ashtu. Deri tani asnjë agjenci qeveritare nuk ka akses në veri, dhe nuk është komanduar asnjë strukturë tjetër.
Me polarizimin e situatës, Kurti ka dëmtuar edhe serbët që duan shtetin e Kosovës, si zv.kryeministri i tij Nenad Rashiq apo Rada Trajkoviq.
Konspiracioni i këtyre orëve, se Albini po e bën këtë se ka një miratim të Amerikës, është fiks naivitet, dhe aspak qëndrimi i Antony Blinken.
Nëse Albin Kurtit nuk i pëlqen që SHBA po përkëdhel Serbinë, është njëra anë, por realpolitika dhe përgjegjësia nuk është fare e tillë. SHBA, qëndrimin e saj afrues ndaj Beogradit ka kohë që e bën, dhe e ka shpjeguar pse.
A mundet Kosova që thjesht për këtë xhelozi, apo qoftë edhe për këtë arsye të prishë marrëdhëniet me SHBA? Rrugët për të zgjidhur çështjet ku nuk ka pajtim janë të shumta, por më e dëmshmja është prishja me Amerikën dhe me Perëndimin. Ndaj Albini duhet të tregojë se çfarë plani ka. Se koha po ikën…
Gjermania, aleati i tij më i afërt sapo tha sot se ka pezulluar planin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
Po nëse pezullohet apo shtyhet liberalizimi i vizave, çdo të ndodhë? Thjesht i takon të thotë se çfarë plani ka, përndryshe një pjesë e madhe e opinionit mbarëshqiptar nuk duan të prishin aleancën me SHBA, pasi mezi e kanë gjetur. Një miqësi tregohet se është e tillë jo në momente të qeta, por kur ka telashe, prishja e miqësisë është e thjeshtë për tu bërë, por pasojat janë të tmerrshme. E meqë jemi këtu, as Albini e asnjë politikan nuk e kanë sovranitetin për ta prishur aleancën me SHBA. Ose të paktën ta hedhin në referendum! / Pamfleti