Kosova27 Shtator 2023, 10:57

Kurti: Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutela e Vuçiçit

Shkruar nga Pamfleti

Kurti: Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutela e

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit, i ka ekspozuar vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve me Serbinë.

Më 24 shtator, në atë zonë, Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë është vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Tetë të dyshuar tjerë janë arrestuar.

Sipas kryeministrit, më 24 shtator është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës dhe është shpërfaqur gatishmëria “e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë”.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak, dhe sasi të mjaftueshme, për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë", tha Kurti.

Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë.

“Kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, sidomos në pjesën veriore, veçanërisht të rrezikshme dhe të vështire e bëjnë sjellja dhe apetiti i Beogradit zyrtar”, u shpreh ai.

Ai ka thënë se pjesëmarrja e nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiq, në këtë sulm, që Kurti e ka quajtur terrorist, është vërtetuar “rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”.

“Nuk ka demokraci e liri, pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”, vijon kryeministri i Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Radoiçiqin se e ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.

Rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar nga Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë për REL se ky fshat do të vazhdojë të jetë i bllokuar deri në orët e pasdites, kur autoritetet pritet të marrin një vendim.

kurti vucic serbet kosove