Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe nëntë deputetëve të tjerë, të cilët kërkonin vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit, pas dështimit të seancës së 5 marsit për shkak të mungesës së kuorumit.
Me një vendim unanim, Gjykata jo vetëm që rrëzoi kërkesën e parashtruesve, por refuzoi edhe kërkesën për vendosjen e një mase të përkohshme që synonte pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka përcaktuar qartë se kërkesa nuk qëndron, duke urdhëruar njëkohësisht që vendimi t’u komunikohet palëve dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare, ndërsa hyn në fuqi menjëherë.
Kërkesa ishte depozituar nga Haxhiu një ditë pas ndërprerjes së seancës parlamentare për zgjedhjen e Presidentit, ku mungesa e opozitës bëri që në sallë të ishin vetëm 66 deputetë, numër i pamjaftueshëm për vijimin e votimit.
Në atë moment, kryeparlamentarja dhe deputetët mbështetës pretenduan se mospjesëmarrja e opozitës përbënte shkelje kushtetuese, duke kërkuar interpretim nga Gjykata dhe njëkohësisht pezullimin e afateve deri në një vendim përfundimtar.
Por me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese nuk i dha të drejtë këtij argumenti, duke lënë në fuqi afatet ekzistuese dhe duke i hapur rrugë vazhdimit të procedurave për zgjedhjen e Presidentit pa asnjë ndryshim në kalendarin kushtetues.
Ky zhvillim e rikthen çështjen në Kuvend, ku mbetet ende e paqartë nëse do të sigurohet kuorumi i nevojshëm për të çuar përpara procesin, në një klimë politike të tensionuar dhe me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Lini një Përgjigje