TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Korrik 2026, 12:05

Britaniku gjendet i vrarë në vilën luksoze në Tajlandë, arrestohet bashkëshortja 20-vjeçare

Shkruar nga Pamfleti
Britaniku gjendet i vrarë në vilën luksoze në Tajlandë,
Vajza e arrestuar si e dyshuar për vrasje

E reja pretendon se 33-vjeçari kreu vetëvrasje, por hetuesit thonë se provat e deritanishme e trajtojnë çështjen si vrasje...

Një biznesmen britanik, 33 vjeç, është gjetur i vdekur në vilën luksoze ku jetonte në Pattaya të Tajlandës. Autoritetet tajlandeze kanë arrestuar bashkëshorten e tij 20-vjeçare, gjithashtu shtetase britanike, si të dyshuarën kryesore për vrasjen.

Sipas policisë, e reja ka deklaruar se bashkëshorti i saj i dha fund jetës, por hetuesit vlerësojnë se provat e mbledhura në vendngjarje nuk mbështesin këtë version dhe po e hetojnë rastin si vrasje.

Trupi i 33-vjeçarit u zbulua mëngjesin e së enjtes, pasi një mik i tij në Angli u shqetësua nga mungesa e kontaktit. Ai njoftoi një tjetër mik të viktimës, i cili shkoi në vilën në zonën Bang Lamung të Pattayas dhe e gjeti banesën të rrëmujshme. Viktima u gjet e pajetë në dush dhe më pas u njoftua policia.

Sipas autoriteteve, 33-vjeçari kishte plagë të shumta me thikë, kryesisht në shpinë, ndërsa ekspertët vlerësojnë se ai kishte ndërruar jetë rreth gjashtë orë përpara se të gjendej.

Në dëshminë e saj, 20-vjeçarja tha se bashkëshorti përdorte shpesh kanabis gjatë kohëve të fundit dhe konsumonte sasi të mëdha qetësuesish, duke këmbëngulur se ai kishte kryer vetëvrasje.

Megjithatë, hetuesit raportojnë se kanë gjetur prova që bien ndesh me këtë pretendim. Në kuzhinë u sekuestrua një thikë gjuetie rreth 50 centimetra e gjatë, e cila dyshohet se ishte larë me kujdes. Gjithashtu, gruaja kishte prerje në gishta, ndërsa në banesë u konstatuan shenja përleshjeje.

Sipas policisë, viktima mund të jetë sulmuar fillimisht në një dhomë tjetër dhe më pas është zhvendosur në banjë.

Banorët e zonës thanë se çifti ishte shpërngulur në vilë vetëm dy javë më parë dhe se shpesh dëgjoheshin debate të forta. Një fqinj deklaroi se një natë para ngjarjes kishte dëgjuar qentë e çiftit duke lehur vazhdimisht, ndërsa rreth orës 02:00 një korrier kishte shkuar për të dorëzuar ushqim për kafshët shtëpiake, por askush nuk i kishte hapur derën.

Autoritetet kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të përcaktuar me saktësi ngjarjet që paraprinë vdekjen e biznesmenit. Kreu i hetimit deklaroi se provat e deritanishme nuk mbështesin skenarin e vetëvrasjes, duke theksuar se plagët në shpinë dhe fakti që thika ishte pastruar forcojnë dyshimet për vrasje.

Sipas policisë tajlandeze, 33-vjeçari drejtonte një biznes të madh për prodhimin e kanabisit në zonën e Pattayas. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse përdorimi i kanabisit ose substancave të tjera ka pasur ndonjë rol në këtë çështje, ndërsa priten rezultatet e ekspertizave kriminalistike dhe laboratorike.

20-vjeçarja mbetet në paraburgim dhe ndaj saj ka nisur procedura penale, ndërsa hetimet vazhdojnë.

 

tajlande arrestim britanike

1 Komente

  1. X
    X

    Po cna duhet ky lajm. Sa veta vriten ne dite ne bote.

    Lini një Përgjigje