Shkëlzen Gashi është vënë nën hetim nga Prokuroria Speciale e Kosovës për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, ndërsa policia ka bastisur banesën e tij dhe ka nisur mbledhjen e provave. Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda ka ndërhyrë në banesën e Gashit për kontroll.
Rasti lidhet me ekspozitën “Masakrat në Kosovë ’98-’99”, e hapur në sheshin e Prishtinës pak ditë më parë , e cila ka shkaktuar reagime të forta për shkak të pasaktësive në të dhënat e paraqitura.
Sipas autorizimit të prokurorisë, policia duhet të mbledhë informacione dhe prova për të sqaruar rrethanat e rastit, si dhe burimet e informacionit të përdorur. Është kërkuar gjithashtu sigurimi i prezencës së tij për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.
Në disa prej tabelave, sipas reagimeve publike dhe dëshmive të të mbijetuarve, janë dhënë shifra dhe përshkrime që nuk përputhen me faktet e njohura për masakrat.
Për shembull, në masakrën e Dubravës u paraqit një numër më i ulët viktimash dhe shqiptarët e vrarë cilësohen si “ njerëz të armatosur”, gjë që është kundërshtuar me forcë nga të mbijetuarit.
Mos përputhje të tjera janë evidentuar edhe për masakrat e Prekazit, Reçakut dhe Krushës së Madhe, ku numri i viktimave rezulton më i ulët krahasuar me raportimet ndërkombëtare dhe dëshmitë në terren.
Hetimet do të fokusohen edhe te burimet e informacionit që ai ka përdorur dhe nëse këto të dhëna janë të sakta apo të pavërteta.
Po ashtu, pritet të merren në pyetje dëshmitarë dhe persona të dëmtuar, për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Ndërkohë vetë Shkëlzen Gashi reagoi duke thënë se mungesa e një liste zyrtare të viktimave nga institucionet e Kosovës e ka detyruar të përdorë burime alternative, konkretisht listën e organizatës Humanitarian Laë Center.
Ai pranoi se mund të ketë pasaktësi, por theksoi se përgjegjësia për mungesën e një liste zyrtare bie mbi institucionet.
Për ekspozitën në fjalë të hënën reagoi edhe qeveria Kurti.
“Sa i përket ekspozitës, me sa mora vesh ajo tashmë është larguar, aty ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte të tilla që kishin edhe gabime në tekst, ato domosdoshmërisht duhet të përmirësohen e korrigjohen. E vërteta për ne dhe krimet e kryera në Kosovë duhet të ekspozohen sa më shumë, jo vetëm para botës, por edhe para nesh veçanërisht te brezat e rinj. Një ekspozitë e saktë, e drejtë, dhe e plotë, e vërtetë për krimet e Serbisë në Kosovë, duhet të kthehet sa më shpejt. Një datë optimale do të ishte qershori, përvjetori i 27-të kur shënohet çlirimi i Kosovës”, u shpreh Kurti sot.
Lini një Përgjigje