Sot, 14 shtator, u mbajt një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë të Holandës.
Shumë shqiptarë u zhvendosën nga ambientet e jashtme të Gjykatës Speciale në një park që gjendet afër selisë së Dhomave të Specializuara, masë kjo e autoriteteve holandeze.
“Nderim për ata që luftuan për të ardhmen tonë”, “Drejtësi për heronjtë e popullit tim”, dhe “Pesë vjet në gjykim, liria nuk duhet askund, padrejtësia nuk mund të zgjasë përgjithmonë, liri tani”, ishin disa nga mesazhet në pankarta.
Organizatore e kësaj proteste ishte diaspora, e mbështetur nga organizata të dala nga lufta.
Ata thonë se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të tjerët, po mbahen padrejtësisht në Hagë për 5 vite me radhë dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare.
Protesta është mbështetur edhe nga shumë parti politike dhe individë me influencë, si në Kosovë, Shqipëri, ashtu edhe në diasporë.
Edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shprehur përkrahjen e tij për këtë manifestim, duke nënvizuar keqardhjen që nuk mundi të udhëtojë për në Hage për shkak të angazhimeve të tjera.
Pjesëmarrësit theksuan dëshirën që sa më shpejt të lirohen të akuzuarit dhe kritikuan ashpër Gjykatën Speciale.
Ndërkohë, qindra qytetarë u mblodhën në orët e para të mëngjesit pranë vendit ku mbahen ish-luftëtarët. Disa prej tyre akuzuan qeverinë Kurti se nuk bëri sa duhet për të mbrojtur Thaçin dhe të tjerët.
Të hënën, më 15 shtator, fillon procesi i nxjerrjes së dëshmitarëve të palës mbrojtëse, ku priten disa nga autoritetet e larta të kohës së luftës. Dëshmitari i parë pritet të jetë James Rubin nga Shtetet e Bashkuara.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se nga Haga i bën thirrje Evropës që “nuk duhet të lejohet që drejtësia të shndërrohet në instrument politik”. Ai tha se UÇK-ja nuk luftoi asnjëherë për pushtet, por për liri.
“Drejtësia duhet të jetë e njëjtë”, tha ai, duke shtuar se serbët që kanë kryer krime “gëzojnë lirinë”.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, njëherësh bashkëorganizatori i protestës, Fatmir Koci, tha se UÇK-ja nuk ishte as agresore e as pushtuese, por tha se sot ish-krerët e UÇK-së po gjykohen “me akuza të pabaza”.
“Nuk do të pranojmë asnjëherë këtë padrejtësi ndaj tyre”, tha ai.
Koci tha shteti serb ka kryer “krime të tmerrshme gjatë luftës dhe nuk ka dhënë asnjë llogari”.
Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës, pasi argumentoi se ajo “ka heshtur” dhe “nuk ka mbrojtur” shtetasit e saj.
“Specialja është mjet i padrejtësisë”, tha ai, duke shtuar se “kërkojmë hetim të drejtë e të paanshëm për krimet e kryera gjatë luftës. Kërkojmë drejtësi për ata që luftuan për lirinë tonë”.
Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.
ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Sipas akt-akuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.
Akt-akuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë. Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Lini një Përgjigje