
Aleanca Euroatlantike ka marrë vendimin për të shtuar prezencën e forcave ushtarake në veri të Kosovës. Një ditë më parë ushtarët e KFOR u sulmuan barbarisht dhe 30 prej tyre përfunduan të plagosur. Për këtë arsye NATO ka vendosur të marrë masa për të mos lejuar përsëritjen e një akti të tillë. Vetë NATO ka njoftuar se ka angazhuar Forcën Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie.
NATO-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, përmes një postimi në Twitter.
“NATO vendos forca shtesë në Forcën e Kosovës Në përgjigje të trazirave të fundit dhe lëndimit të 30 anëtarëve të Forcës së Kosovës të NATO-s. NATO ka urdhëruar vendosjen e Forcave Operacionale Rezervë (ORF) për Ballkanin Perëndimor, e cila ishte në gatishmëri shtatë-ditore”, njofton NATO.
“Dislokimi i forcave shtesë të NATO-s në Kosovë është një masë e kujdesshme për të siguruar që KFOR-i ka aftësitë që i nevojiten për të ruajtur sigurinë në përputhje me mandatin tonë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Adm. Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli.
Ai e ka bërë të Qartë se NATO nuk do lejojë minimin e paqes, ndërsa kërkon nga të dyja palët që të ndalin tensionet.
“Dëshiroj të përgëzoj KFOR-in që ka ndërmarrë veprime të shpejta, të përmbajtura dhe profesionale për të ndërhyrë për të ndalur trazirat dhe për të shpëtuar jetë. Dhuna duhet të ndalet dhe të gjitha palët duhet të ndalojnë së ndërmarrë veprime për të minuar paqen në çdo dhe të gjitha komunitetet e Kosovës”, tha Munsch.
Lini një Përgjigje