
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në takimin konsultues, partitë i shprehën qëndrimet e tyre lidhur me mundësinë e daljes nga kriza, por tha se ajo ka kohë deri më 5 nëntor për të vendosur nëse do t'i shpallë zgjedhjet e reja apo do ta mandatojë dikë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Kreu i LVV-së, Albin Kurti, sipas Osmanit, i ka kërkuar që të takohen sërish para 5 nëntorit.
“Kurti ka kërkuar që të më takoj edhe njëherë para se të skadojë afati 10-ditor. Do të vijnë me propozim apo jo është çështje e tyre”, tha ajo.
Osmani tha se partitë mund të duan të mbahen zgjedhje të reja, por aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e obligojnë atë që të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve.
“Aktgjykimet e Kushtetueses thonë që presidentja duhet të bëjë çmos t'i evitojë zgjedhjet. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, detyrimi i presidentes është tjetër. Atë detyrim unë duhet ta kryej”, tha ajo, duke shtuar se duhet të dëshmojë se ka bërë çmos për t'i shmangur zgjedhjet e reja.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja u shprehën se janë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por kreu i LVV-së, Albin Kurti, nuk u deklarua pas takimit.
Osmani tha se ka afat kushtetues deri më 5 nëntor që të vendosë nëse do të shpallë zgjedhje të reja apo të mandatojë dikë për të formuar ekzekutivin e ri. Ajo tha se Kurti i ka kërkuar që të takohen para 5 nëntorit.
E para e vendit la të kuptohet se në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe nëse LVV-ja kërkon të mandatohet sërish për të formuar ekzekutivin, mandatar nuk mund të jetë Kurti pasi asaj i kërkohet që të mandatojë një person “tjetër”.
Lini një Përgjigje