Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e tre agresorëve, të cilët mëngjesin e sotëm vranë një efektiv.
Gjatë të shtënave në manastir, mësohet se janë vrarë 3 prej terroristëve të dyshuar serbë dhe një polic ka mbetur i plagosur.
“Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më tej në njoftimin policisë thuhet se gjatë veprimeve policore wshtw gjetur njw banesë, e cila është përdorur nga sulmuesit. Aty janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si armw dhe municion të kalibrave të ndryshëm.
“Sipas informatave zyrtare nga terreni gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur”, thuhet në njoftim.
Po ashtu thuhet se si pasojë e sulmeve një zyrtar policor ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.
“Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Në zonën e fshatit Banjska, sipas Policisë, situata e sigurisë vazhdon të qëndrojë e tensionuar, po ashtu sulmet me armë zjarri ndaj njësiteve policore po vazhdojnë në intensitet të njëjtë, varësisht nga lëvizjet e grupeve kriminale.
“Veprimet policore po realizohen sipas planifikimeve dhe zhvillimeve në terren, duke u përgjigjur në vetëmbrojtje ndaj sulmeve të adresuara ndaj zyrtarëve policorë, të cilëve po iu rrezikohet jeta e tyre e drejtpërdrejtë”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme.
“Hetimet dhe ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet relevante, përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës”, përfundon njoftimi.