
Gani Bunjaku, xhaxhai i policit të vrarë në Kosovë Afrim Bunjaku, ka kërkuar që deklarata e djalit të tij, drejtuar kryeministrit Albin Kurti, të mos keqinterpretohet.
Ai e ka quajtur hero policin e ndjerë, Afrim Bunjaku, për të cilin tha se e ka ndjerë veten krenar që i ka shërbyer vendit të tij. Bunjaku falenderoi institucionet për kujdesin dhe ndihmën ndaj familjes së tyre.
“Falenderoj shtetin se është interesuar për të na ‘zvogëluar dhimbjen' dhe me na ndihmu në çdo mënyrë. Jam falenderues ndaj gjithë atyre që vijnë dhe na ngushëllojnë”, tha Bunjaku.
Ai kërkoi që deklaratat të mos keqinterpretohen, teksa e quajti krenari mbrojtjen e sovranitetit.
“E pashë se i intervistuari ka qenë djali im, e pashë se shumë njerëz po e keqinterpretojnë. Le të merret për bazë statusi që ka bërë në Facebook. Krenari është ta mbrosh çdo pëllëmbë të këtij shteti tonë që me vonesë e kemi fituar dhe ta mbrojmë me çdo pikë të gjakut”, tha Gani Bunjaku.
Xhaxhai i tij tregon edhe për bisedat që ka pasur me të ndjerin, Afrim Bunjakun, për të cilin tha se ka shkuar me krenari në shërbim të atdheut.
“Jam xhaxhai më i vogël i tij. Shpeshherë kam pas kontakte me të kur ka shkuar dhe kam biseduar me të dhe ka thënë se ‘krenar po e ndiej vetën që po shkoj atje dhe po i shërbej vendit tim’ dhe me vullnet ka shkuar dhe faktikisht u vërtetua se edhe Zoti ka dashtë që atë ta shpërblejë me titullin e heroit të Kombit dhe do të jetë hero i Kombit”, tha Bunjaku.