
Ndonëse dhuna ndaj ushtarëve të KFOR-it nuk ka akoma asnjë fajtor zyrtar, për median kjo nuk është më diçka e paidentifikuar, pasi këto të fundit kanë publikuar disa fotografi nga protestat në veri të Kosovës ku shihen serbët duke u përplasur me ushtarët.
Të parët në frontin e përplasjeve, rezultojnë të kenë qënë grupi i tifozeve huliganë të futbollit, që njihen si grupi i Veljko Belivuk. Pamjet dhe fotografitë e shkrepura gjatë momenteve të tensionit kanë identifikuar mes turmës pjesëtarë të këtij grupi, të cilët mbajnë kapele të njëjta me atë që mban edhe lideri i grupit Veljko Belivuk.
Grupit famëkeq të tij i është kushtuar një artikull i gjatë edhe gazeta New York Times vetëm dy javë më parë, më 11 maj të këtij viti. Në këtë artikull përshkruhen me detaje krime të kryera nga banda e Belivuk, kreu i grupit të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizani i Beogradit.
Gazetari i prestigjozes amerikane, Robert Worth ka zbardhur disa deklarata të Veljko Belivuk në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, ku ka deklaruar se grupi i tij ishte organizuar për nevoja dhe urdhëra të Aleksandër Vuçiç.
Gjatë kësaj seance, Belivuk ka përshkruar disa nga punët që pretendonte se grupi i kishte bërë për qeverinë, si “frikësimi i rivalëve politikë” dhe se ishte takuar personalisht edhe me presidentin Vuçiç.
Zyrtarisht kundër grupit të Veljko Belivukut rëndojnë akuza për krime të ndryshme përfshirë edhe disa krime monstruoze si prerja e gjymtyrëve të viktimave, kryesisht pjesëtarë të grupeve rivale kriminale.