
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për zhvillimet e fundit në veri të vendit. LDK thekson se sulmet e bandave kriminale ndaj policisë, gazetarëve dhe KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë në Kosovë, institucionet e vendit si edhe vetë trupave të NATO-s me mision në Kosovë.
Sipas LDK, mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politikë, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë Kosovën në një përplasje të hapur me aleatët. LDK thekson se nga përplasja me grupet kriminale në veri, qeveria po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin.
“Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tone”, thuhet më tej në komunikatë.