Rreth 150 oficerë morën pjesë në operacionin e koordinuar nga autoritetet vendase me mbështetjen e Europolit. Gjatë aksionit u arrestuan pesë anëtarë kryesorë të grupit kriminal.
Detaje të reja janë zbardhur nga megaoperacioni i zhvilluar në Kosovë kundër një organizate të krimit të organizuar, ku janë sekuestruar asete kriminale me vlerë rreth 80 milionë euro.
Sipas Europolit, aksioni është rezultat i një hetimi trevjeçar që u mbështet në analizën e komunikimeve të siguruara nga platforma e koduar SKY ECC. Informacioni i mbledhur ndihmoi autoritetet të identifikonin drejtuesit e rrjetit, të zbulonin strukturën e organizatës dhe të gjurmonin fitimet e dyshuara të përfituara nga aktivitetet kriminale.
Rreth 150 oficerë morën pjesë në operacionin e koordinuar nga autoritetet vendase me mbështetjen e Europolit. Gjatë aksionit u arrestuan pesë anëtarë kryesorë të grupit kriminal.
Sipas hetimeve, organizata kishte bazën e saj operative në Kosovë, ndërsa aktiviteti shtrihej në disa vende evropiane. Anëtarët e saj dyshohet se koordinonin trafikimin ndërkombëtar të drogës, përdornin dokumente identiteti të falsifikuara, mbanin armë në mënyrë të paligjshme dhe përfshiheshin në pastrimin e parave.
Europoli bën me dije se që nga fillimi i hetimit janë vënë nën hetim 42 persona të dyshuar, ndërsa janë kontrolluar 76 biznese të lidhura me aktivitetin e grupit.
Gjatë gjithë procesit hetimor, ekspertë dhe analistë nga Belgjika, Franca, Kosova, Holanda dhe Europoli bashkëpunuan ngushtë për analizimin e të dhënave dhe koordinimin e veprimeve operative. Shkëmbimi i informacionit është realizuar përmes sistemit të sigurt të komunikimit SIENA të Europolit.
Autoritetet theksojnë se operacioni përbën një nga goditjet më të rëndësishme ndaj një rrjeti kriminal me bazë në Kosovë, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.
Lini një Përgjigje