
Zbulohet dokumenti mbi të cilin po negociojnë Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
Dokumenti nis me një deklaratë se procesi i normalizimit Serbi-Kosovë mbështetet nga 27 vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe ata që nuk e njohin.
Më tej, listohen elementët kryesorë të marrëveshjes. Aty thuhet se marrëveshja respekton vijat e kuqe të palëve.
Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova zotohet të punojë për zgjidhjen e nevojave praktike të komunitetit, ndërsa Serbia bën një hap prapa, duke negociuar pavarësinë e Kosovës, shkruhet në dokumentin që e cilëson të nevojshëm bashkëpunimin me ndërkombëtarët, në favor të njerëzve që jetojnë në Kosovë.
“Serbia dhe Kosova zotohen për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve; Serbia angazhohet të përmbahet nga çdo veprim që perceptohet si armiqësi diplomatike drejt Kosovës; Kosova angazhohet për vetë-menaxhim; Komuniteti serb të jetë në përputhje me vlerat e BE-së”, thuhet aty.
Me Marrëveshjen Themelore, përveç normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, synohet të bëhen hapa para në procesin e integrimit të Serbisë dhe Kosovës në BE.
BE ofron edhe mbështetje financiare për realizimin e objektivave. Më tej, renditen përfitimet që pritet të ketë Kosova dhe Serbia.
Serbia ka mundësinë të kthehet në partner strategjik për Ballkanin Perëndimor, duke u bërë faktor i rëndësishëm ekonomik dhe politik në rajon. Ajo gjithashtu do ta afrojë Serbinë me komunitetin serb të Kosovës.
Ndërsa për Kosovën, do të shënojë fillimin e shkëputjes nga kriza, një mundësi për t’u fokusuar në zhvillimin social dhe ekonomik.
Duke përmendur agresionin rus dhe marrëveshjet “e rrezikshme” të Kinës, në dokumentin e siguruar nga Top Channel thuhet se Perëndimi “nuk e ka luksin e dështimit në Ballkanin Perëndimor”.
Çfarë mund të ndodhë nëse palët refuzojnë marrëveshjen? Në dokument thuhet se rrezikohet rruga e integrimit në BE dhe hidhen poshtë proceset e realizuara deri më tani, bashkë me përfitimet që kanë sjellë për Kosovën dhe Serbinë. /TCH