
Tensionohet situata në Zveçan të Kosovës. Forcat e KFOR ndërhynë për të larguar nga ambientet e jashtme të komunës përfaqësuesit e komuniteti serb, por kjo ka sjellë tensione.
Pjesëtarët e KFOR-it kanë kërkuar nga protestuesit të largohen nga dy autoblinda, të cilat u bllokuan në mes të turmës, por ata kanë refuzuar.
Për t’i shpërndarë KFOR-i ka hedhur gaz lotsjellës dhe pas kësaj protestuesit kanë nisur të hedhin bomba shurdhuese, mejte të forta dhe shishe në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Disa pjesëtarë të KFOR kanë mbetur të dëmtuar. Raportohet se është djegur një makinë e policisë së Kosovës.

Mediat serbe raporojnë se dy protestues kanë mbetur të plagosur. Po ashtu shumë ushtarë të KFOR kanë marrë lëndime. Gjithashtu thuhet se ka pasur dhe të shtëna me armë zjarri.
Mësohet se përfaqësuesve të serbëve u është propozuar që automjetet e KFOR-it përballë Komunës së Zveçanit të zëvendësohen me automjete të Policisë së Kosovës.
Negociatori i KFOR-it ka raportuar se kanë biseduar me kreun e Policisë së Kosovës dhe se ata kanë thënë se kanë urdhër që të mos tërhiqen dhe të qëndrojnë atje.
Negociatori i KFOR-it tha se është shumë i shqetësuar për situatën, pasi sipas tij është dëmtuar një veturë e policisë dhe një veturë e KFOR-it. Ai ka pyetur edhe pse njerëzit mbajnë maska, ndërsa nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, ka shpjeguar se shkak për këtë është frika se policia mund t'i arrestojë nesër, siç ka ndodhur më parë.
Negociatori i KFOR-it tha se nuk mund të ndikojnë në vendimin e qeverisë së Kosovës, që kryetarët e sapozgjedhur të vijnë në vendet e tyre të punës.
Ai shtoi se diskutimet po zhvillohen në nivelin më të lartë, se është në interes të KFOR-it që të mos ndodhin incidente, por që nuk mund të ndikojnë në veprimet dhe vendimet e Policisë së Kosovës.
Lini një Përgjigje