
Ka përfunduar me marrëveshje takimi trepalësh midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësim të zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
I pari që foli pas takimit ishte presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili konfirmoi se deri diku kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Ai e cilësoi bisedën si shumë konstruktive dhe si një hap drejt marrëveshjes. Edhe pse tha se nuk ka firmosur asgjë, sot ishte një takim pozitiv. Megjithatë ai tha se pjesa që nuk negocion është Asociacioni.
“Për ne është me rëndësi është formimi i asociacionit dhe në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë. Duhet të them se jam i kënaqur se ende flitet për persona të pagjetur, do ketë konferenca donatorësh dhe kjo do varet se si do të ecë plani i implementimit. Edhe sot pala shqiptare do thotë se nuk kam nënshkruar asgjë, thjesht kam theksuar faktin se cilat janë linjat tona të kuqe përkatëse. Por besojë se kemi bërë një hap më tutje në një atmosferë konstruktive dhe do vijojmë punën”, tha ai.
Sipas tij, fillimisht do të formohet një komision i përbashkët monitorimi që do të raportohet pas 30 ditësh, e që, sipas tij, do të nisë punën me Asociacionin e pastaj me personat e pagjetur.
Më pas përfaqësuesi i BE, Josep Borrell ka dalë në një konferencë për mediat për të dhënë detaje nga rezultatet e takimit të sotëm. Ai tha se palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, për përmbajtjen e të cilit palët janë darkoduar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
“Kam kënaqësinë tu them se kemi një marrëveshje, kemi një pajtim se si do të zbatohet kjo marrëveshje. Mund të them se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi zbatimin e aneksit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, tha ai.
Borrell la të kuptohet se Kosova ka rënë dakord të negociojë Asociacionin. “Për nenin 7 - Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, ka thënë Borrell.
Neni 7 është diskutuar në opinionin kosovar si neni që lejon krijimin e Asociacionit në Kosovë. Pra duket se Kurti është tërhequr në këtë pikë, por ende ka vend për interpretim.
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në pikën 7 për të clën foli Borrell.
Bisedimet mes të dyja palëve zgjatën për afro 12 orë, ku pati ndërprerje dhe rinisje të diskutimeve.