Kosova 6 Dhjetor 2023, 19:40

“Zoti e vendos fatin e secilit”, çfarë rrëfente Naim Murseli për sëmundjen dhe raportin me Pacollin

Shkruar nga Pamfleti

“Zoti e vendos fatin e secilit”, çfarë rrëfente

Naim Murseli është shndërruar në një prej emrave më të përfolur e urryer kohëve të fundit për shkak të dyshimit se ka organizuar vrasjen e gruas së tij. Para tragjedisë që tronditi Kosovën, gjithçka ishte ndryshe. Murseli linte përshtypjen e njeriut të lumtur, me jetën e tij në rrethe që i preferonte – politikanë dhe VIP-at. Kjo zgjati deri të premten e kaluar kur Murseli ra në pranga për shkak të dyshimeve se organizoi vrasjen e gruas në prani të dy fëmijëve. Krahas krimit të rëndë, ajo që po diskutohet është edhe raporti me Pacollin.

Lidhja speciale e Murselit me “kosovarin më të pasur në botë”  dëshmohet hapur në fotografitë që Murseli i ka të publikuara në profilin e tij në facebook. “Poza” në aeroplan privat e pushime nëpër vendet ekzotike të botës janë ato që dominojnë profilin e Murselit.

Por, s’i kishte arritur Murseli që t’i afrohej Pacollit që në moshë të re?

Në një fotografi që ka publikuar në profilin e tij, ka treguar se për herë të parë e kishte takuar Pacollin në vitin 2006 në qytetin e Gjakovës.

“Takimi im i parë me z. Behgjet Pacolli. Në vitin 2006, Gjakovë”, thuhet në përshkrimin që Murseli i ka vendosur fotografisë.

“Zoti e vendos fatin e secilit”, çfarë rrëfente

Murseli rrëfimin e afërsisë së tij me Pacollin e ka të ndërtuar mes fotografish të shumta në profil.  Pas ngjarjes që ka tronditur Kosovën e Suedinë, një version të njohjes me Murselin e ka treguar edhe vetë biznesmeni.

Në një shkrim ku shprehte ngushëllime për familjen e Liridona Ademajt, Pacolli ka treguar se me 33 vjeçarin, tani të dyshuar për krimin makabër, njihej prej vitesh, meqë si djalë i ri i ishte afruar pas një sëmundjeje që kishte përjetuar.

Por cila ishte historia e sëmundjes së Murselit që u përmend disa herë nga Pacolli ditëve të fundit?

Murseli në profilin e tij në facebook kishte shkruar rreth sëmundjes kur ishte foshnje. Ai kishte treguar se si 2 vjeçar kishte qenë duke luftuar për jetë në Zagreb, ndërsa pas 25 vitesh kishte arritur të shoqërohej me ish-presidentin kroat Stipe Mesiq dhe Behgjet Pacollin.

 “Vetëm Zoti e vendos fatin e secilit”, kishte shkruar Murseli më 14 korrik 2020.

“Unë, dy vjeç, duke luftuar për jetë në Zagreb, Kroaci 25 vjet më vonë së bashku me dy Presidentë, njëri i Kroacisë dhe tjetri i Kosovës, në një udhëtim privat. Vetëm Zoti vendos fatin e secilit”, thuhet në postim.

“Zoti e vendos fatin e secilit”, çfarë rrëfente

Pacolli dhe njerëzit e tij e kanë quajtur person imponues Murselin që në vazhdimësi kishte shfaqur interes për aktivitetet në rrjete sociale. Ky ‘insistim” i është shpaguar Murselit pasi ia ka dalë të emërohet këshilltar i Kryediplomatit Pacolli më 2017.  Po ashtu Pacolli ka treguar se e ka ndihmuar në disa iniciativa biznesi që nga viti 2019.

“Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte përjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019”, ka shkruar Pacolli pak ditë pas ngjajes tragjike të vrasjes së Liridona Ademajt.

“Zoti e vendos fatin e secilit”, çfarë rrëfente

Tutje ai ka treguar se raporti i tyre ka qenë edhe më i fortë, meqë ka qenë edhe kumbar i një prej fëmijëve të çiftit.

“Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, unë dhe e shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka konfirmuar edhe vetë se Murseli ka qenë i angazhuar si këshilltar i jashtëm (pro bono) gjatë kohës kur ka qenë si Ministër i Punëve të Jashtme. Menjëherë pas rastit, këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, në një përgjigje për Express kishte mohuar që Murseli të ketë qenë këshilltar i Pacollit.

“Gjatë mandatit tim si MiPJ, kam pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedija), ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre. Kështu lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si këshilltar të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri”, ka shtuar tutje Pacolli.

Pacolli ka thënë se s’do të mendonte kurrë që Naim Murseli të përfundonte në një akt të tillë tmerrues.

“Nuk kam pasuar dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin. Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues”, ka shtuar mes tjerash njeriu më i pasur në Kosovë.

Pikërisht ky raport, më 2014 e kishte çuar Pacollin në Uddevalla të Suedisë ku deri më tani ka jetuar Murseli dhe familja e tij.

Gazeta suedeze Expressen kishte shkruar për qëndrimin e Pacollit atje. Raportohej se “Vizita në Suedinë Perëndimore vjen pasi këshilltari komunal i Uddevalla Magnus Jacobsson (KD) dhe Naim Murseli, kandidat për deputet (KD), shqiptar nga Kosova dhe mik i Pacollit, vizituan së fundmi Kosovën. Tani pritej një vizitë e kthimit për të diskutuar bashkëpunimet e mundshme në teknologji dhe energji. Pacolli vizitoi të enjten Kynningsrud dhe Uddevalla Energi AB”.

“Zoti e vendos fatin e secilit”, çfarë rrëfente

“Ka mundësi të mira për investime në Kosovë. Përveç kësaj, ne kemi marrë dy zona të tregtisë së lirë në vend, të cilat duhet të jenë interesante për kompanitë suedeze dhe skandinave” citohej të ketë thënë Behgjet Pacolli, që po vizitonte kompanitë në Goteborg.

Naim Murseli bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën janë në paraburgim për rastin e vrasjes së Lirdiona Ademajt. Murseli dyshohet si organizatori i gjithë skenarit për vrasjen. Granit Plava për Prokurorinë dyshohet që është personi që ka vrarë Liridonën, ndërkohë që Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale. Ata janë duke u mbajtur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz. /GazetaExpress/

naim murseli behgjet pacolli liridona murseli