Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me fundin e marrëdhënies mes reperes së njohur Cardi B dhe lojtarit të NFL-së, Stefon Diggs. Sipas raportimeve të Us Weekly, ka qenë vetë artistja ajo që ka vendosur t’i japë fund lidhjes pas një sërë zhgënjimesh.
Një burim pranë ish-çiftit ka deklaruar për revistën se marrëdhënia e tyre ka qenë e karakterizuar nga ulje-ngritje të vazhdueshme dhe se kjo nuk ishte hera e parë që ata ndaheshin. Sipas të njëjtit burim, Cardi dyshohet se ishte tradhtuar disa herë, ndërsa miqtë e saj e kishin paralajmëruar prej kohësh se partneri i saj nuk ishte personi i duhur.
Burimi shton se reperja 33-vjeçare tashmë është beqare dhe ndihet e lirë, duke u përqendruar plotësisht në muzikë dhe në projektet e saj profesionale. Ajo ndodhet në një periudhë intensive turnesh dhe nuk dëshironte që problemet personale të ndikonin në angazhimet e saj artistike.
Cardi dhe Diggs e bënë publike lidhjen e tyre në maj të vitit 2025. Ish-çifti kanë edhe një djalë së bashku, i lindur në nëntor 2025.
Fituesja e çmimit Grammy është gjithashtu nënë e tre fëmijëve të tjerë: Blossom, Wave dhe Kulture, nga martesa e saj e mëparshme me reperin Offset.
Deri më tani, as Cardi B dhe as Stefon Diggs nuk kanë bërë një reagim publik zyrtar lidhur me raportimet e fundit.
Lini një Përgjigje