
Këngëtarja Kamala Islamaj ka ndarë me publikun një histori personale që hedh dritë mbi një periudhë të vështirë të jetës dhe karrierës së saj artistike, në A Show
Artistja tregoi se lidhja e saj me muzikën ka nisur që në fëmijëri, ku pianoja u bë një pjesë thelbësore e përditshmërisë së saj. Ajo rrëfeu se i është përkushtuar këtij instrumenti për më shumë se një dekadë, nga mosha 6 deri në 18 vjeç, duke ndërtuar një raport të fortë emocional dhe artistik me të.
Megjithatë, ky rrugëtim u ndërpre papritur pas një zhgënjimi të fortë në një konkurs për të vijuar studimet në Akademinë e Arteve. “Ishte një nga arsyet për të cilat unë lashë pianon. U mërzita ekstremisht shumë, shita pianon dhe nuk e preka për 10 vjet. Ishte një gabim shumë i madh”, – rrëfeu ajo, duke e cilësuar këtë si një nga vendimet më të vështira të jetës së saj.
Pas një dekade larg muzikës, Kamala Islamaj ka gjetur forcën për t’u rikthyer te pianoja, këtë herë me një qasje më personale dhe emocionale. “Jam rikthyer për të kënaqur veten, për të mos u ndjerë vetëm. Gjithë jetën time kam kaluar vetminë e një fëmije duke luajtur në piano”, – u shpreh ajo, duke zbuluar dimensionin e brendshëm që muzika ka pasur në jetën e saj.
Në të njëjtën intervistë, ajo foli edhe për tiparet e saj personale, duke u shprehur me sinqeritet: “Ndjehem ende djali i munguar i prindërve”, ndërsa e përshkroi veten si një natyrë “menefregiste”.
Artistja ndau gjithashtu një reflektim nga fëmijëria që e ka shoqëruar ndër vite: “Amorpropi (dashuria për veten) është shumë i rëndësishëm”, duke theksuar rëndësinë e vetëvlerësimit dhe pranimit të vetes.
Sipas saj, një ndikim të madh në formimin e saj artistik ka pasur edhe Korça, qyteti i lindjes, të cilin e cilëson si një burim të vazhdueshëm frymëzimi dhe ndjeshmërie artistike.
"Amorpropi", injorance prej njerezve injorante