TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle 7 Dhjetor 2025, 09:39

Sa “vjeç” është zemra juaj? Zbuloni si matet mosha biologjike e saj dhe si vlerësohet rreziku kardiak

Shkruar nga Pamfleti
Sa “vjeç” është zemra juaj? Zbuloni si matet mosha
Sa “vjeç” është zemra juaj?

Sa vjeç është zemra juaj në të vërtetë?

Njohja e kësaj mund të jetë thelbësore për të vlerësuar rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, si infarktet dhe goditjet në tru, që mbeten një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë. Studimet e fundit tregojnë se algoritmet e inteligjencës artificiale mund të analizojnë elektrokardiogramë (Ekg) për të përcaktuar “moshën biologjike” të zemrës dhe rrezikun e ngjarjeve të tilla. Një zemër që duket më e vjetër se mosha reale mund të rrisë rrezikun e problemeve kardiake deri në 92%, ndërsa një zemër më e re e ul atë rrezik deri në 27%.

Por për të vlerësuar shëndetin e zemrës nuk nevojiten gjithmonë teknologji të avancuara. Një kontroll te mjeku i familjes dhe matja e disa parametrave themelorë mund të ofrojnë informacion të çmuar. Kjo përfshin presionin e gjakut, nivelet e kolesterolit dhe glicemisë.

Kolesteroli LDL, i njohur si “i keqi”, mund të depozitohet në arterie dhe të shkaktojë bllokime apo tromboza. Edhe lipoproteina (a) duhet matur një herë në jetë, pasi niveli i lartë rrit ndjeshëm rrezikun kardiak. Glicemia dhe markuesit e inflamacionit si proteina C-reaktive dhe fibrinogjeni janë gjithashtu të rëndësishëm për parandalimin e trombozave dhe komplikacioneve.

Ekg-ja klasike dhe Ekg-ja nën stres janë ekzaminime që ndihmojnë në identifikimin e aritmimeve dhe problemeve të furnizimit të gjakut në zemër. Ekokardiogrami dhe TAC koronare përdoren për të vlerësuar funksionin e zemrës dhe sëmundjet e arterieve, ku inteligjenca artificiale mund të përmirësojë interpretimin dhe parashikimin e rrezikut.

Ekspertët rekomandojnë fillimin e kontrollit të kolesterolit dhe shëndetit kardiak që nga mosha 35-40 vjeç, duke vazhduar me monitorime të rregullta për të parandaluar dëmtimet që mund të jenë tashmë të pranishme. Një vëmendje e hershme dhe një program i strukturuar kontrolli mund të reduktojë sëmundshmërinë dhe të rrisë jetëgjatësinë.

Sëmundjet kardiovaskulare janë ndër shkaqet kryesore të vdekjes, ndaj një screening i hershëm dhe i zgjeruar mund të ndihmojë shumë për të parandaluar tragjeditë. Sipas ekspertëve, koordinimi i terapisë për faktorët metabolikë, të veshkave dhe të zemrës është thelbësor, pasi shumë herë infarktet dhe goditjet në tru janë rezultat i një procesi të gjatë që fillon me obezitetin, diabetin ose funksionin e reduktuar të veshkave.

sa “vjeç” është zemra juaj?

Lini një Përgjigje