
Vlera në treg e futbollistit shqiptar Ernest Muçi ka shënuar rritje në përditësimin më të fundit të platformës së specializuar për transferime, “Transfermarkt”. Mesfushori me tipare sulmuese tashmë vlerësohet me 11 milionë euro, nga 9 milionë euro që ishte vlerësimi i mëparshëm.
Me këtë shifër, Muçi kalon në renditje dy emra të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare, Mirlind Dakun dhe Armando Brojën, të cilët aktualisht vlerësohen nga “Transfermarkt” me nga 10 milionë euro secili. Përpara tij në listën e futbollistëve shqiptarë me vlerën më të lartë mbetet mesfushori Kristjan Asllani, i vlerësuar me 13 milionë euro.
Listën e kryeson Anis Mehmeti me një vlerë prej 14 milionë eurosh në treg, ndonëse ai nuk është ftuar në Kombëtaren shqiptare që nga viti 2023.
Ndërkohë, në skuadrën e Trabzonsporit, Muçi renditet i treti për nga vlera në treg. Përpara tij qendrojnë mesfushori 19-vjeçar Krist Inao Oulai, i vlerësuar me 17 milionë euro, si dhe Andre Onana me 12 milionë euro.
Rritja e vlerës në treg shihet si tregues i formës së mirë të futbollistit shqiptar. Sipas raportimeve sportive, gjatë këtij muaji pritet edhe rikthimi i tij në Kombëtaren shqiptare.
Lini një Përgjigje