
Bajerni i Mynihut ka fituar 3-1 ndaj Sportingut të Lisbonës për javën e gjashtë të Champions League, në sfidën e luajtur në “Allianz Arena”. Bavarezët e nisën vrullshëm takimin duke gjetur golin që në minutën e 6 me Lenart Karl, por festa e tyre shkoi kot. Goli u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa spektakli ishte lënë i gjithi për pjesën e dytë.
Fillimisht portugezët gjetën avantazhin në minutën e 54, ku pas një aksioni të shpejtë, pasimi i Zhoao Simoes u devijua nga Xhoshua Kimish në portën e tij. Në minutën e 65, Bajerni barazoi shifrat. Majkëll Olize krosoi nga këndi, Serzh Gnabri i lënë komplet i lirë nga futbollistët e Sportingut, e pati të lehtë të shtynte topin në rrjetë.
Në minutën e 69 ishte radha e “diamantit” të ri të bavarzërve, Lenart Karl, i cili shënoi një gol tejet të bukur, pas pasimit të marrë nga Konrad Laimer. Me golin e sotëm, Lenart Karl është bërë lojtari më i ri në historinë e Ligës së Kampionëve që shënon në tre ndeshje radhazi të Champions League. Ai është vetëm 17 vjeç e 290 ditë.
Në minutën e 77, ishte radha e Xhonatan Tah për të gjetur golin. Pas një skeme të nisur nga goditja e dënimit nga Xhoshua Kimish, ky i fundit krosoi në zonë, Gnabri asiston me kokë, Tah dërgoi topin në rrjetë.
Pas kësaj fitoreje, Bajerni renditet në vendin e dytë me 15 pikë në 6 ndeshje, aq sa ka Arsenali, por me një ndeshje më pak. Sportingu i Lisbonës momentalisht renditet në vendin e 9 me 10 pikë.
Lini një Përgjigje