TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Shkurt 2026, 18:25

Barcelona thyen Vijarrealin në shtëpi, Lamin Jamal i jashtëzakonshëm me tripletë golash

Shkruar nga Pamfleti

Barcelona thyen Vijarrealin në shtëpi, Lamin Jamal i

Barcelona ka regjistruar një fitore bindëse 4-1 ndaj Villarrealit në sfidën e zhvilluar në “Camp Nou”, e vlefshme për javën e 26-të të La Liga-s. Protagonisti absolut i takimit ishte 18-vjeçari Lamin Jamal, i cili realizoi tre gola dhe udhëhoqi skuadrën drejt një tjetër suksesi të rëndësishëm në garën për titull.

Skuadra katalanase zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të. Pas një topi të fituar në mesfushë, Fermin Lopez asistoi për Lamin Jamal, i cili nuk gaboi përballë portës.

Vetëm nëntë minuta më vonë, në minutën e 37-të, dyshja Jamal–Fermin Lopez bashkëpunoi sërish. Pas një kombinimi të shpejtë dhe një veprimi individual me klas, sulmuesi i ri dyfishoi shifrat me një gol të bukur, duke vulosur epërsinë 2-0 në fund të pjesës së parë.

Pjesa e dytë nisi më mirë për miqtë, të cilët ngushtuan diferencën me golin e Pape Gueje, i shënuar pas një aksioni të nisur nga goditja e këndit.

Megjithatë, Barcelona riktheu qetësinë në minutën e 69-të, kur Lamin Jamal kompletoi “hat-trick”-un e tij pas asistit të Pedrit. Me këtë paraqitje, 18-vjeçari vazhdon të konfirmojë formën e tij, ndërsa sipas të dhënave të përmendura, ai numëron 49 gola dhe 52 asistime në karrierë.

Në minutat e fundit pati vend edhe për golin e katërt. Robert Levandovski realizoi pas një aksioni të gjatë dhe asistit të Juls Kunde, duke mbyllur përfundimisht llogaritë në 4-1.

Me këtë fitore, Barcelona ngjitet në kuotën e 64 pikëve dhe mban vendin e parë në renditje, duke ushtruar presion ndaj Realit të Madridit, që do të përballet të hënën me Getafen dhe nuk ka hapësirë për gabime në garën për titull.

barcelona vijarreal la liga

Lini një Përgjigje