TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Shkurt 2026, 17:31

“Është sulmues i nivelit të lartë”, trajneri thur elozhe Myrto Uzunit: E ndjekin shumë klube në Europë

Shkruar nga Pamfleti

“Është sulmues i nivelit të lartë”, trajneri

Myrto Uzuni e ka nisur me gol sezonin e ri në Major League Soccer (MLS), duke dhënë një sinjal pozitiv që në ndeshjen e parë me skuadrën e Ostinit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare gjeti rrjetën, ndërsa pas takimit trajneri Niko Estevezi shprehu besim të plotë në aftësitë e tij realizuese.

Në prononcimin pas ndeshjes, tekniku i Ostinit theksoi se nuk ka asnjë dyshim për cilësitë e Uzunit si golashënues, duke e cilësuar atë një sulmues të nivelit të lartë që e ka provuar veten gjatë gjithë karrierës.

Për Myrton nuk kam dyshime kur vjen puna te të shënuarit gola. Ai është një sulmues i nivelit të lartë dhe e ka treguar këtë gjatë gjithë karrierës së tij. Është e vërtetë që ka ardhur në një ligë dhe në një kontekst ndryshe”, u shpreh Estevezi.

Trajneri i Ostinit iu referua edhe sezonit të kaluar, kur Uzuni nuk arriti të shënojë aq sa pritej. Sipas tij, kjo lidhej më shumë me performancën kolektive të skuadrës sesa me formën e lojtarit.

Vitin e shkuar ne nuk ishim një skuadër që gjeneruam shumë raste në mënyrë që ai të shënonte gola. Më pas, duke vazhduar sezoni, ai vërtetoi se mund të shënonte”, deklaroi trajneri.

Estevezi bëri të ditur se para nisjes së sezonit kishte biseduar me Uzunin dhe e kishte parë në formë të mirë fizike dhe psikologjike. Sipas tij, lojtari ishte i motivuar për të dhënë maksimumin dhe për të kënaqur tifozët, duke dashur të linte pas peshën e kritikave për numrin e golave në sezonin e kaluar.

Besoj që me golin e shënuar demonstron se çfarë sulmuesi është. Uzuni është një lojtar shumë energjik, me një energji brutale”, shtoi ai.

Në fund të deklaratës së tij, Estevezi zbuloi se Uzuni mbetet një emër i kërkuar në tregun e transferimeve. Sipas trajnerit, disa klube në Europë po e ndjekin nga afër sulmuesin shqiptar, ndërsa Ostini shprehet i kënaqur që e ka në përbërje.

Myrto Uzuni është një lojtar shumë i dëshiruar. Shumë klube në Europë e ndjekin dhe ne jemi shumë të lumtur që e kemi këtu”, përfundoi Estevezi.

Goli në startin e sezonit shihet si një ogur i mirë për Uzunin, i cili synon të ketë një sezon më produktiv në MLS dhe të konfirmojë pritshmëritë si një nga emrat më të rëndësishëm të skuadrës së Ostinit.

myrto uzuni sulmuesi i kombëtares trajneri i ostin

Lini një Përgjigje