TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Shkurt 2026, 18:05

“Shi” golash në Premier Ligë, Liverpuli nuk përmbahet ndaj Uest Hemit; Bërnli i Brojës dhuron spektakël

Shkruar nga Pamfleti

“Shi” golash në Premier Ligë, Liverpuli nuk përmbahet

Liverpuli ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në Premier Ligë, duke triumfuar 5-2 ndaj Uest Hemit në takimin e zhvilluar në “Anfield”, të vlefshëm për javën e 28-të të kampionatit anglez.

Të kuqtë e nisën vrullshëm sfidën, duke kaluar në avantazh që në minutën e 5-të. Pas një aksioni të gjatë të nisur nga goditja e këndit dhe asistit të Rajan Gravenbersh, Hugo Ekitike realizoi me të majtën nga brenda zonës, duke dërguar topin në rrjetë.

Në minutën e 24-t, Dominik Shoboslai ekzekutoi një tjetër goditje këndi, ndërsa Virxhil van Dajk shënoi me kokë për të dyfishuar shifrat.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, në minutën e 43-të, Mohamed Salah krosoi nga këndi, Ekitike asistoi për Aleksis Mek Alister dhe mesfushori argjentinas realizoi me një goditje të saktë brenda zonës, duke e çuar rezultatin në 3-0.

Uest Hemi reagoi menjëherë në pjesën e dytë, duke ngushtuar diferencën në minutën e 49-të me anë të Tomas Suçek.

Në minutën e 70-të, Kodi Gakpo shënoi golin e katërt për Liverpulin, duke i dhënë qetësi vendasve. Megjithatë, vetëm dy minuta më vonë, Valentín “Tati” Kastejanos realizoi me kokë për Uest Hemin pas një goditjeje këndi, duke rikthyer shpresat për miqtë.

Në minutën e 83-të, Aksel Disasi devijoi topin në portën e tij pas një krosimi të Zheremi Frimpong, duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-2.

Me këtë fitore, Liverpuli mban vendin e pestë në renditje me 48 pikë.

Në dy sfidat e tjera të javës, Njukasëll u mposht 2-3 nga Evertoni në “St. James’ Park”. Ndërkohë, përballja mes Bërnlit dhe Brentfordit përfundoi 3-4, në një ndeshje me shtatë gola. Brentfordi shënoi tre herë në pjesën e parë, ndërsa vendasit barazuan në 3-3 në fraksionin e dytë. Golin e fitores, miqtë e realizuan në minutat shtesë.

Sulmuesi shqiptar Armando Broja vazhdon të jetë i dëmtuar dhe nuk ishte pjesë e ndeshjeve të kësaj jave.

liverpul uest hem bërnli premier liga

Lini një Përgjigje