
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, po kalon një formë të shkëlqyer me fanelën e Trabzonsporit në Superligën turke. Futbollisti 23-vjeçar është huazuar nga Beshiktashi, por paraqitjet e tij kanë rritur gjasat për një transferim të përhershëm.
Në 19 ndeshje të zhvilluara në kampionat, Muçi ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke u shndërruar në një nga lojtarët kyç të skuadrës. Kontributi i tij në fazën sulmuese ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit, të cilët po shqyrtojnë mundësinë e aktivizimit të opsionit të blerjes.
Sipas faqes së specializuar për statistika “Sofascore”, Trabzonspori pritet të ushtrojë të drejtën e blerjes për shumën 8.5 milionë euro. “Pavarësisht se Ernest Muçi është zyrtarisht në huazim, sulmuesi shqiptar ka shumë të ngjarë të transferohet përgjithmonë te klubi aktual, pasi performancat e tij nuk i kanë dhënë Trabzonsporit asnjë arsye për të mos aktivizuar opsionin e tij të blerjes për 8.5 milionë euro”, shkruan Sofascore.
E njëjta faqe i ka kushtuar vëmendje edhe me një postim simbolik, të titulluar: “Kurrë mos bjer në dashuri me një lojtar në huazim…”, duke nënvizuar ndikimin e menjëhershëm të Muçit te skuadra e Trabzonsporit.
Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga klubet për finalizimin e transferimit, por performancat e sulmuesit shqiptar duket se e kanë bërë këtë çështje vetëm një formalitet.
Lini një Përgjigje