
Bajerni i Mynihut ka hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në çerekfinalet e UEFA Champions League, pasi mposhti thellë Atalantën në Bergamo me rezultatin 6-1, në ndeshjen e parë të fazës së 1/16-ve.
Skuadra gjermane e nisi vrullshëm takimin dhe kaloi në avantazh që në minutën e 12-të. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar shpejt, Serzh Gnabri dërgoi një top të rrezikshëm në zonë, të cilin Josip Stanisiç e shndërroi në gol.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, në minutën e 22-të, Majkëll Olize dyfishoi shifrat me një goditje të bukur nga jashtë zonës, pas asistit të Dazhot Upamekano. Bajerni vazhdoi presionin dhe në minutën e 25-të ishte sërish Serzh Gnabri që gjeti rrjetën, këtë herë pas një pasimi të Olize, duke çuar rezultatin në 0-3. Me këtë epërsi u mbyll edhe pjesa e parë.
Edhe në pjesën e dytë bavarezët dominuan plotësisht. Në minutën e 52-të, Nikolas Xhekson realizoi golin e katërt për ekipin gjerman, pas një asistimi të Luis Diaz. Ndërsa në minutën e 64-të, Majkëll Olize shënoi golin e tij të dytë personal dhe të pestin për Bajhernin, pas një pasimi nga Alfonso Devis.
Tre minuta më pas, në minutën e 67-të, Jamal Musiala vulosi shifrat me golin e gjashtë për Bayernin, pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të Nikolas Xhekson.
Atalanta arriti të shënonte vetëm në fundin e takimit. Në minutën e tretë shtesë të kohës së rregullt (90+3), Mario Pasaliç ngushtoi rezultatin në 1-6, por pa ndikuar në fatin e ndeshjes.
Me këtë fitore të thellë në transfertë, Bjerni i Mynihut krijon një avantazh shumë të madh përpara ndeshjes së kthimit dhe afrohet ndjeshëm me fazën çerekfinale të kompeticionit.
Fund dramatik në duelin mes Njukastëll dhe Barcelonës, që u mbyll me rezultatin 1-1.
Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Barns në minutë ne 86-të, që nuk fali pas asistit të Mërfit. Kur u mendua se dueli do të mbyllet me triumfin e bardhezinjve, ishte Dani Olmo, i cili arriti të fitonte një penallti, pas ndërhyrjes së gabuar të mbrojtësit Malik Çau, e cila u ekzekutua në mënyrë perfekte nga Lamin Jamal.
Një barazim ky që i shkon më shumë përshtat katalanasve, ndërkohë që gjithçka mbetet e hapur për në duelin e kthimit.
Atletiko nuk e fali aspak Totenhemin dhe e zhyt akoma më thellë në krizën e tij.
Në Metropolitano, skuadra e Diego Pablo Simeones ra si një ortek mbi skuadrën londineze, teksa e mundi me rezultatin 5-2.
“Los Kolçoneros” ishin të papërmbajtshëm në 22 minutat e para, duke e ndëshkuar 4 herë skuadrën e Igor Tudor. Markos Lorente zhbllokoi rezultatin që në minutën e 6-të dhe pas këtij momenti skuadra madrilene nuk u ndal më. Antoin Griezman në minutën e 14-të i çoi shifrat në 2-0.
Por pa u shuar mirë entuziazmi për golin e francezit, Julian Alvarez shënoi golin e tretë, duke e hedhur praktikisht në “knockout” Totenhemin. Por nuk u mbyll me kaq; në minutën e 22-të Lë Normo plotësoi pokerin e golave për Atletikon e Madridit.
Totenhemi, në një moment të sfidës, doli nga zona e saj dhe në minutën e 26-të shkurtoi diferencën në 4-1 me golin e Pedro Porros. Në pjesën e dytë, Atletiko plotësoi “manitën”, teksa shënoi edhe golin e 5-të me Julian Alvarez, që plotësoi dygolëshin e tij personal.
Në minutën e 77-të, Totenhemi shënoi golin e dytë me Solanke për ta çuar rezultatin në 5-2 dhe për ta bërë më pak të hidhur këtë disfatë.
Lini një Përgjigje