
Përfundojnë ndeshjet e para të raundit “play off” në Champions League. PSG-ja ka mposhtur me përmbysje 2-3 Monakon.
Klubi nga Principata zuri në befasi mbrojtjen e kampionëve të Europës që në aksionin e parë, ku pas krosimit të Aleksandër Golovin, ishte Folarin Balogun që dërgoi me kokë topin në rrjetë, në minutën e 1-rë.
Në minutën e 18, Monako zuri sërish në befasi mbrojtjen e PSG-së dhe Balogun dyfishoi shifrat pas asistit të Maghnes Akliushe. Në minutën e 22-të, PSG-ja fitoi penallti pas një faulli brenda në zonë nga mbrojtësi i Monakos, Faes. Goditi Vitinja, priti Kohn, portieri i Monakos.
Në minutën e 25-të, Osman Dembele la fushën e lojës, i dëmtuar, në vend të fituesit të “Topit të Artë”, hyri Dezajër Due, të cilit i mjaftoi një minutë në fushë për të gjetur golin, pas asistit të Bredli Barkola.
Në minutën e 41-të, erdhi goli i barazimit për PSG-në me Ashraf Hakimin. Tentativa e parë nga Due u ndal nga Kohn, por jo e dyta nga marokeni, që dërgoi topin në rrjetë me një goditje me të djathtën brenda zonës. Pjesa e parë u mbyll 2-2.
Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 48, Monako mbeti me 10 lojtarë, pasi Aleksandër Golovin u ndëshkua me karton të kuq.
Skuadra e Luis Enrikes përfitoi nga inferioriteti numerik i miqve dhe gjeti golin me Dezajër Due që i dha fitoren për të shkuar i qetë në takimin e kthimit që do të luhet javën e ardhshme në “Parc D’e Princes”.
Megjithatë, duke parë rezultatin e ndeshjes së parë, rezultati mbetet i hapur për sfidën e kthimit.
Në “Estádio da Luz”, Reali i Madridit triumfoi me shifrat minimale përballë Benfikës. Skuadra e Arbeloas u hakmor ndaj portugezëve, pasi në takimin e parë të luajtur në fazën e Ligës, Reali u mposht me shifrat 4-2.
Pjesa e parë u mbyll në barazim të bardhë 0-0. Një ndeshje kryesisht e qetë dhe pa ndonjë rast serioz për 45 minutat e para.
Në pjesën e dytë ishte Vinicius Zhunior që zhbllokoi shifrat në minutën e 50-të.
Pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të Kilian Mbape, Vinicius Zhunior shënoi një gol shumë të bukur me një goditje plot klas brenda zonës. Braziliani u ndëshkua me karton të verdhë, për shkak të mënyrës provokuese si festoi golin.
Dy minuta më pas, Vinicius Zhunior u bë sërish protagonist, pasi refuzoi të luante, duke u ankuar tek arbitri pasi Xhanluka Prestiani, anësori argjentinas i Benfikës e quajti atë “majmun” dhe më pas thirrjet “majmun, majmun” u dëgjuan në gjithë stadiumin.
Vinicius Zhunior u ul në stolin rezervë dhe refuzoi të luante. Arbitri kryesor i takimit thërriti Xhanluka Prestianin dhe i kërkoi të ndalonte komentet raciste, por nuk e ndëshkoi. Vinicius pranoi të rikthehej në fushë, loja rifilloi normalisht, por sa herë që ai preku topin, u shoqërua më vërshëllima të shumta nga tifozët vendas.
Lini një Përgjigje