
Çështja e plusvalencave nuk është shqetësimi i vetëm i Juventusit, pasi aty, rregullorja është ende e paqartë, ndonëse për momentin i ka hequr 15 pikë në renditjen e Serisë A. Klubi bardhezi është më i shqetësuar për të ashtuquajturën “manovra e rrogave”, ku nëpërmjet akordeve me lojtarët, ka deklaruar sikur kishin falur rroga, por në fakt ua kthente në mënyra të tjera. Kështu, nuk i llogariste në bilance për të fshehur deficitet dhe për të qenë në linjë me rregulloret e Serisë A dhe UEFA-s.
Të hënën është seanca e parë dëgjimore rreth kësaj teme, por, ndërkohë në Itali janë mësuar se cilat janë disa nga aktet që Prokuroria e Torinos vlerëson si të rëndësishme. Një vëmendje e veçantë është për të ashtuquajturën “karta Ronaldo”, e cila vërteton se portugezit i detyrohen në mënyrë të jashtëligjshme mbi 19 milionë euro.
Një bashkëbisedim në grup në prill të vitit 2021 mes drejtuesve bardhezinj Morganti, Kerubini dhe Gabasio, flet pikërisht për portugezin. Gabasio, asokohe shefi i zyrës juridike të klubit, shkruante “I pari i gatshëm për të firmosur është Kristiano”. Pak ditë më vonë, më datë 23 prill, sekretari sportiv, Morganti shkruante dy mesazhe në grup. I pari, në orën 13:42, lexon “Kristano ka firmosur”. Një minutë më vonë, shkruan edhe “ka një kopje të të gjithë dokumenteve”. Pak minuta më vonë, Kerubini përgjigjet “Mirë”.
Një bashkëbisedim, i cili sipas Prokurorisë tregon se Juventusi kishte gjetur akordin me portugezin, edhe pse ky i fundit pretendon se nuk ka firmosur asgjë për faljen e rrogave që do t’i ktheheshin më vonë, ndaj vijon të kërkojë rreth 19 milionë euro që nuk i janë dhënë nga bardhezinjtë. Dokumenti i Juventusit është gjetur, por nuk ishte me firmën e futbollistit. Mendohet se ai ka firmosur vetëm modulet sa i përket heqjes dorë nga 4 rrogat mujore që do i paguheshin më vonë, sipas akordit verbal mes palëve.
Lini një Përgjigje