
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, mund të detyrohet të bëjë ndryshime të rëndësishme në repartin e sulmit për ndeshjet e “play-off”-it për kualifikimin në Botëror, që do të zhvillohen në fund të këtij muaji. Kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë nga nisja e grumbullimit të kuqezinjve, situata e sulmuesve paraqitet problematike.
Armando Broja vazhdon të jetë i dëmtuar dhe ende nuk është rikthyer në stërvitje. Ndërkohë, shqetësimeve i është shtuar edhe gjendja e Mirlind Dakut, i cili ka pësuar një dëmtim në tendinë dhe rrezikon të mbetet jashtë fushave për një periudhë të gjatë.
Gjendja e sulmuesit është konfirmuar edhe nga trajneri i ri i Rubin Kazan, Frank Artiga. Në prezantimin e tij para mediave, tekniku spanjoll u ndal edhe te mungesa e Dakut, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka lojtari për skuadrën ruse.
Sipas Artigës, ekipi është ndërtuar në masë të madhe rreth karakteristikave të sulmuesit shqiptar dhe zëvendësimi i tij është shumë i vështirë.
“Kur erdha këtu, po prisja me padurim mundësinë për të punuar me Dakun, por tani ai është i dëmtuar dhe kjo është një humbje e madhe. Skuadra është ndërtuar rreth tij dhe është shumë e vështirë të gjejmë diku tjetër cilësitë që ai ka”, u shpreh trajneri spanjoll.
Artiga theksoi gjithashtu se klubi nuk do të rrezikojë aktivizimin e lojtarit pa u rikuperuar plotësisht. Sipas tij, dëmtimet në tendinë janë specifike dhe përsëritja e tyre mund të ketë pasoja serioze për karrierën e futbollistit.
“Një dëmtim në tendinë është mjaft specifik. Nëse përsëritet, lojtari mund të mbetet jashtë për një kohë shumë të gjatë. Ne nuk duam të rrezikojmë dhe po monitorojmë rikuperimin e tij derisa të jetë 100% gati”, shtoi ai.
Sipas trajnerit të Rubin Kazan, ekzistojnë vetëm parashikime të përafërta për rikthimin e Dakut në fushë, por ende nuk ka një datë të saktë. Kjo situatë e bën të paqartë nëse sulmuesi do të jetë në dispozicion të Kombëtares për ndeshjet e ardhshme.
Nëse mungesa e tij konfirmohet, trajneri Silvinjo mund të detyrohet të kërkojë alternativa të tjera në repartin ofensiv për ndeshjet vendimtare të kuqezinjve.
Lini një Përgjigje